Policia britanike ka arrestuar ish-redaktorin e javores “News of the World”, Endi Koulson, për shkak të skandalit që ka goditur këtë gazetë.
Koulson, i cili ishte edhe shef për komunikime i kryeministrit Dejvid Kameron, po mbahet në stacionin e policisë në Londër.
Kameron ka bërë thirrje për një hetim publik të ngjarjes, të cilën e ka quajtur “thjesht të neveritshme”.
Gazeta që shitet më së shumti në Britani të dielën do të publikojë numrin e fundit të saj pas 168 vjetësh ekzistencë, citon RFE.
Javorja ka pranuar se ka përgjuar telefonat e fëmijëve të zhdukur, pastaj të farefisit të viktimave të sulmeve terroriste më 7 korrik, 2005, dhe të familjeve të ushtarëve të vrarë në Afganistan.