English

Basha, fjala e plotw: Sot bashkohemi të gjithë për të ardhmen e Tiranës

Tiranw, 8 korrik 2011 NOA - Së pari të dashur miq, të dashur bashkqytetarët e mi, gëzimi i ligjshëm që na ka pushtuar të gjithëve në këto çaste, është një gëzim i hapur dhe i merituar.

Është një gëzim i ligjshëm, sepse kemi korrur një fitore të ligjshme, një fitore të ndershme, një fitore që është shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve të Tiranës, që besuan në shumicë, në programin tonë, në projektin tonë për një Tiranë europiane e mbi të gjitha në seriozitetin tonë, për ta vënë në jetë këtë sipërmarrje të madhe që Tirana jonë e dashur ka kohë që e meriton dhe ka kohë që e pret!

Gëzimi ka qenë një bashkëudhëtar i pandarë e fushatës dhe punës sonë. Një gëzim i brendshëm se i kishim hyrë një beteje të sinqertë për të mirën e qytetit. Një gëzim që ndjejnë natyrshëm bijtë dhe bijat e qytetit kur bashkohen dhe i përgjigjen thirrjes që qyteti ynë, Tirana jonë na bëri ne, për ta nxjerrë nga udhëkryqi hallemadh, ku një lloj politike konfliktuale e kishte braktisur.

Vizituam dhe prekëm sëbashku çdo rrugë dhe çdo lagje, çdo rrugicë dhe çdo kënd dhe kqyrëm me dhëmbshuri birësore çdo plagë të kësaj shtëpie të madhe, që na strehon të gjithëve.

Gjatë kësaj fushate, kam dëgjuar me pasion zërin tuaj, shqetësimet tuaja dhe dëshirat tuaja për qytetin tonë, dhe si Kryebashkiaku juaj i ardhshëm do ta filloj me pasion punën dhe do të vazhdoj t’ju dëgjoj.

Qytetarët kanë pasur pushtet si asnjëherë më parë gjatë kësaj fushate dhe do vazhdojnë ta kenë atë edhe në Bashkinë e Tiranës. Zëri i çdo qytetari u dëgjua në procesin zgjedhor dhe zëri i çdo qytetari do të dëgjohet edhe në Bashki.

Por kësaj rrugë që sot kurorëzohet me fitore nuk i hymë vetëm, por me shumë miq e shokë, me shumë aleatë dhe qytetarë të interesuar e të angazhuar në mendjen dhe zemrën e tyre, për të sotmen dhe të nesërmen e Tiranës.

Sepse Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe kryeqyteti shpirtëror e kulturor i të gjithë shqiptarëve, prandaj dhe ishim kaq të shumtë në këto zgjedhje dhe nesër do të jemi edhe më shumë.

Tirana na frymëzoi të gjithëve, me bukurinë që ndryn në thellësi të vet, dhe me këtë frymëzim, në këtë gëzim të brendshëm që na komunikon kryeqyteti ynë, ne ia mbërritëm të krijojmë një sinergji, një rezonancë të së mirës dhe tiranasit na besuan Ndryshimin! Ndryshimin e vërtetë europian që ky qytet krenar, ka sot më shumë nevojë se kurrë!

Por Tirana, qyteti ynë i dashur, kërkon angazhimin e një sipërmarrjeje zemrash, mendjesh të përkushtuara, vullnetesh të hekurta dhe ka nevojë për vizion të sprovuar.

Ndaj sot dua të falenderoj qytetarët e Tiranës që gjetën kohë për të ndarë me mua problemet e tyre por dhe shpresën, besimin dhe projektet për zgjidhjen e këtyre problemeve si dhe ti falenderoj për durimin, kulturën dhe qytetarinë me të cilën pritën përfundimin e këtij procesi zgjedhor.

Dua sot të falenderoj edhe njëherë, Kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin Sali Berisha për mbështjetjen e tij, të gjithë Partinë Demokratike, anëtarët e Parlamentit, drejtuesit e Partisë dhe të gjithë anëtarët e saj.

Dua të falenderoj po kështu, edhe partnerët e koalicionit për mbështjetjen e tyre; në këtë përpjekje të përbashkët nuk mund të gjeja miq më të mirë.

Dua gjithashtu të falenderoj të gjithë komisionerët, numëruesit, vëzhguesit e Partisë Demokratike, të Aleancës për Qytetarin, por edhe të gjitha partive të tjera si dhe të gjithë ata që me kontributin e tyre ndihmuan për ta bërë këtë proces zgjedhor të ndershëm, të lirë, të saktë, transparent dhe të tillë me të cilin mund të krenohet Tirana.

Dua të falenderoj drejtësinë shqiptare, që u dha shqiptarëve dhe tiranasve një drejtësi të drejtë.

Dua të falenderoj gjithë stafin e fushatës time, të gjithë bashkëpunëtorët e mi, për përkushtimin e tyre frymëzues, punën e pareshtur dhe përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme.

Dua te falenderoj Aurelën dhe Dafinën, dhe te gjithë familjen time, për mbështjetjen dhe kujdesin e tyre gjatë gjithë kësaj fushate.

Unë do të angazhohem me mish e me shpirt për t’i mbajtur premtimet e mia dhe do të bëj gjithçka mundem për ta bërë qytetin tonë më të mirë, jo vetëm për mbështetësit e mi, po për të gjithë bashkëqytetarët e mi. Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës, por ai po vjen.

Pavarësisht nëse keni votuar për mua apo jo, tani është koha të bashkohemi. Unë ftoj sot të gjithë qytetarët e Tiranës, të bashkohemi për të punuar për të ardhmen e qytetit tonë. Të gjithë na bashkon interesi për të ardhmen tonë.

Nëse luftojmë me njëri-tjetrin ne do të mbetemi në vend, po nëse punojmë së bashku mundësitë e asaj që mund të arrijmë së bashku nuk do të njohin kufi.

Ejani pra dhe bashkohuni me mua në betejën për të ndërtuar një qytet më të mirë, bashkohuni me mua për t’i kthyer shpresat dhe dëshirat tona në realitet.

Tani puna fillon. “Ju jeni të parët. Tirana është e para” nuk është më vetëm një slogan dhe e ardhmja e qytetit tonë ka nisur marshin e saj.

a.q/NOA

KOMENTE