English

Diplomohen 150 oficerë që mbaruan Kursin e Lartë të Oficerit

Tiranë, 8 korrik 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme u zhvillua ceremonia e diplomimit të 150 oficerëve që mbaruan Kursin e Lartë të Oficerit në Akademinë e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Ministri i Mbrojtjes Arben Imami u shpreh se Qeveria Shqiptare është e vendosur në kualifikimin dhe trajnimin e oficerëve, për një rajon më të sigurt.

Ministri i Mbrojtjes, i shoqëruar nga Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Maksim Malaj, shefi i Shtabit të FSK-së, Gjeneral Lejtnant Sulejman Selimi, Gjeneralë, Komandantë Forcash, Atashe ushtarakë të akredituar në Tiranë, oficerë e nënoficerë, familjarë, etj., morën pjesë në ceremoninë e dekorimit të 150 ushtarakëve dhe civilëve, të cilët përfunduan vitin akademik të Kursit të Lartë të Oficerit, që u zhvillua në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Kursi, i cili kishte si qëllim të përgatiste oficerë të përzgjedhur të karrierës me gradën e nënkolonelit, si dhe punonjës civilë nga strukturat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, për të shërbyer më pas në detyra e funksione të larta në Forcat e Armatosura, Shtabet e NATO-s si dhe në institucione të tjera të sigurisë, nisi më datë 13 shtator 2010 për t’u finalizuar sot me certifikimin e tyre, nga përfaqësuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Imami mbajti fjalën përshëndetëse në emër të institucionit që ai drejton, duke u shprehur: “Dëshiroj t’ju përgëzoj Z. Çeku, për nivelin e lartë profesional që studentët tuaj, kanë treguar gjatë këtyre studimeve dhe që sot po diplomohen me rezultate të shkëlqyera. Të gjithë ushtarakët nga Kosova që diplomohen në institucionet tona arsimore në fakt, kanë treguar nivel të lartë angazhimi profesional, duke pasuruar në këtë mënyrë edhe jetën akademike e ushtarake të këtyre institucioneve. Me këtë rast, gjej edhe një herë mundësinë, t’ju shpreh ju dhe nëpërmjet jush edhe qeverisë së Kosovës, po kështu edhe vendeve mike dhe aleate, vendosmërinë e Qeverisë Shqiptare dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të kualifikuar dhe trajnuar sa më shumë oficerë dhe nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

Nga ana tjetër, ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha: “Ky është një bashkëpunim nga i cili Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë fituar shumë. Forcat e Sigurisë së Kosovës sot janë në rrugë të mbarë, shënojnë rezultate të konsiderueshme, janë tregim i suksesshëm dhe të jeni të bindur se pjesë e këtij suksesi që po arrijnë të tregojnë FSK, jeni ju zoti ministër, zoti gjeneral dhe ushtarakët dhe oficerët tuaj”.

Nga ky kurs u diplomuan përkatësisht:

- Në kursin e Lartë të Oficerit 15 nënkolonelë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, 1 nënkolonel nga MB, 6 nënkolonelë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe 3 civilë, nga RTSH, SHISH dhe nga Kosova.

- Në kursin e Komandës dhe të Shtabit u diplomuan 54 majorë nga FA, 5 nga Kosova dhe 2 majorë nga Ministria e Brendshme.

- Në Qendrën e Gjuhëve të Huaja u certifikuan 64 studentë nga FA.

Kursi i Lartë i Oficerëve është pjesë e programit Master shkencor në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kursi i Komandës dhe i Shtabit është pjesë e programit Master profesional në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

a.y/NOA

KOMENTE