Tiranë, 8 korrik, NOA – Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e pesë të protestës për kushtet e punës dhe mënyrën e administrimit të minierave nga firmat private. Rreth 700 punëtorë të kësaj miniere, por edhe nga minierat e qyteteve të tjera kanë deklaruar se nuk do të rikthehen në punë pa u plotësuar më parë kushtet e tyre. Ndër pikat kryesore të kërkesave të tyre janë; ulja e moshës së pensionit dhe më shumë siguri në punë. Gjithashtu ata kanë kërkuar dhe largimin e kompanisë që ka marrë të drejtën nga Ministria e Ekonomisë për shfrytëzimin e minierave në qytetin e Bulqizës.
Për këtë qëllim gjatë këtyre momenteve, një përfaqësi i minatorëve është duke zhvilluar një takim me drejtues të Ministrisë së Ekonomisë
“Presim të takohemi më drejtues të ministrisë së Ekonomisë dhe të dëgjojmë mënyrën e zgjidhjes së kërkesave tona”, tha një prej drejtuesve të minatorëve. Ata janë takuar në Ministri me zëvendësministrin, Neritan Alibali dhe drejtor të sektorit minerar në këtë institucion.
Nëse nuk do të ketë një marrëveshje mes Ministrisë dhe minatorëve, këta të fundit kanë deklaruar se do të përshkallëzojnë reagimin duke hyrë në grevë urie.
a.k/NOA