English

Faqe Zi

Nga Mero Baze

Dje Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj për regjistrimin e popullsisë në vend, përmes polemikave të ashpra mbi deklarimin e shtetësisë dhe fesë në formular. Nuk dua të bëhem pjesë e opsioneve ekstreme mbi këtë proces që u ngarkua më shumë se ç’mbante emocionalisht, por dua të theksoj hipokrizinë publike që dëshmoi në këtë rast koalicioni në pushtet.

Për të mos u bërë pjesë e debatit dua të theksoj qysh në fillim se nuk shikoj asgjë të keqe tek deklarimi i fesë, pasi ajo është një çështje personale dhe është një realitet i ri për Shqipërinë e pas viteve 90-të, të dalë nga ateizmi i sforcuar. Përveç myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve dhe bektashinjve, ne kemi dhe disa komunitete që kanë përqafuar sekte të reja kristiane, për të cilat do të ishte interesante një statistikë. Përderisa tek ne feja nuk është e lidhur me kombin, nuk shikoj asgjë të keqe të kemi një statistikë për të, qoftë dhe me defekte, por sidoqoftë më e mirë se statistika e imponuar nga vitet gjashtëdhjetë. Çështja e kombësisë është delikate dhe paksa primitive, pasi etniciteti, nuk është më një tipar qe identifikon qytetarin në botën perëndimore. Ajo që quhet nacionalitet, ka të bëj me shtetësinë dhe jo me përkatësinë etnike. Për shembull nëse do të pyesim ambasadorin Arvizu se çfarë kombësie ka, mund të na sqarojë sa përqind aziatik, sa për qind meksikan, dhe sa për qind amerikan është. Po e marr atë si shembull dashamirës për të thënë se debati për kombësinë është një atavizëm që do ta na vijë zor kur ta kujtojmë vite më pas.

Por, pavarësisht opinionit tim për këto dy çështje të debatueshme, ne kemi në pushtet një koalicion, i cili mes të tjerash po lavdërohet me votat e disa partive nacionaliste, të cilat e kanë në rend të ditës çështjen e etnicitetit dhe kombit shqiptar. Jemi apo s’jemi ne dakord me folklorizmin e tyre, ata i kanë mbledhur ato vota në emër të asaj kauze. Mes tyre shquan partia çame, partia Lëvizja e Legalitetit, apo Partia Republikane. Çuditërisht dje në Kuvend, dy deputetët e partisë çame, dhe kryetari i Partisë Republikane, që të dy kanë në flamurin e partisë së tyre një krah shqiponje, nuk votuan kundër ligjit të Berishës. Në mënyrë qesharake partia çame bëri një deklaratë që thoshte se falë amendamenteve të saj kjo çështje nuk do të pasqyrohet në regjistrin kombëtar të shtetasve. Kjo është një gënjeshtër e trashë, pasi të gjithë e dimë se ky është një proces statistikor, që nuk ka lidhje me regjistrin civil të shtetasve shqiptarë, por me statistikat kombëtare. Në vitin 2001 këtë proces e bëri me sukses INSTAT. Partia çame as na ka shpëtuar dhe as na ka rrezikuar ne si qytetarë nga asnjë e mirë dhe nga asnjë e keqe që përmban ky ligj. Partia çame thjesht ka dëshmuar se nuk është një parti që e ka seriozisht atë që thotë për flamurin, për shqiponjën, apo për Shqipërinë!!! Janë thjesht dy deputetë që duan të marrin ndonjë gjë nga pushteti dhe janë gati të mos kundërshtojnë asgjë që kërkon pushteti. Kjo është shumë deprimuese për aleancën në pushtet, pasi ata mbledhin vota në emër të kauzave që i tradhtojnë po me vota në Kuvend. E theksova dhe më lart se personalisht kam pikëpamje të ndara për këto çështje dhe nuk jam as partizan i asaj që dërdëllit partia e Idrizit dhe as i emocioneve me të cilën e ngarkon këtë çështje Kreshnik Spahiu. Por të dy kanë të drejtë të luftojnë të jenë popullorë me një kauzë të tillë. Nëse i dyti i qëndroi kauzës dhe u përpoq dje të diskreditonte Genc Pollon në stadium në Vlorë si “tradhtar”, i pari ndenji si qen i rrahur në sallë të parlamentit për shkak të shpresës se Berisha do të vërë dorën në zemër dhe do t’i japë ndonjë ministri pas disa javësh. Ky është në të vërtetë një ballafaqim diskreditues për këta “patriotë” që na nxjerrin sytë nëpër fushata me flamur dhe e shesin atë për disa poste drejtoresh me lek tek targat, patentat apo doganat. Nëse qeveria quan sharlatanë ata që drejtojnë Aleancën Kuq e Zi, unë nuk di si duhen quajtur po këta qeveritarë që në Aleancën e tyre Faqe e Zi përdorin flamurin në fushatë për të mbledhur vota dhe pastaj e fshehin atë si një leckë të përdorur duke fyer dyfish shqiptarët që realisht besojnë tek retorika e tyre patriotike, që i ka rrënjët tek paret e pushtetit.

*Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit.

KOMENTE