Tiranë, 8 korrik 2011, NOA- Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka bërë me dije se është zgjeruar skema e sigurimeve, duke bërë që të rritet numri i pacientëve që përfitojnë.
Burime zyrtare nga ISKSH, bëjnë me dije për agjencinë e lajmeve NOA, se vetëm në 5 muaj do të jepen 130 mijë libreza të reja më shumë, ku theksohet fakti se në këtë skemë shtohen edhe emigrantët.
Ka qenë drejtoresha e ISKSH, Elana Hana e cila në një dalje për mediat është shprehur se, “Vitet e fundit vihet re një rritje e vazhdueshme e ndjeshmërisë ndaj skemës së sigurimeve, madje mund të themi se ka një eksplodim të skemës për sa i takon numrit të përdoruesve dhe po ashtu edhe shpenzimeve të rimbursimit. Më shumë pacientë i janë shtuar skemës së rimbursimit, gjë që reflektohet edhe në rritjen e fondit që përdoret për kategoritë në nevojë për barna të rimbursueshme”.
Më tej ajo shtoi se për vitin 2010, rritja e shpenzimeve të rimbursimit është 1050 milion lek nga ai i vitit 2009.
Sakaq sipas Hanës, një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve për barnat e shtrenjta që mbulon ISKSH në QSUT me rreth 350 milion lek më shume për 2010 si pasojë e rritjes së numrit të pacientëve të trajtuar me sëmundje të rënda si Leucemi, Anemi nga Insuficenca renale kronike ose mosfunksionimi i veshkave si dhe rritjes se vlerës së rimbursimit për banorë.
Ndërsa sipas saj, për vitin 2011 kostoja e kësaj liste parashikohet të arrijë në vlerën rreth 7250 milion lek me rreth 1300 milion më shume se 2010.
Sipas ISKSH, nga rimbursimi i barnave, kategoritë që përfitojnë më shumë janë Pensionistët (44.8%); Invalidët e plotë (29.3%), të sëmurë me CA (9.5%), Veteranë (5.2%) ndaj totalit, të cilët janë kategori që përfitojnë rimbursim të plotë 100% të alternativës së parë të barnave të LBR, duke përjashtuar veteranët që i përfitojnë të gjitha barnat si dhe ato jashtë liste, ku në total këto kategori zënë 88.8%
Për vitin 2010 kemi një rritje të shpenzimeve dhe për kategorinë popullsi aktive në 4.4% , ndërsa të papunë në ndihmë asistence zënë 1.9% ndaj totalit të shpenzimeve të rimbursimit
Rimbursimet dhe kategoritë:
Në vlerë mesatare Rimbursimi /recetë për 2010 është 1831 lek nga 1675 lek që ishte ne 2009.
Po kështu rimbursimi për banorë për 2010 është 123 lek nga 99 lek për 2009.
Vlen për tu theksuar se ISKSH rimburson 100% receta që shkojnë në afro 400 mijë lekë te reja vetëm për 1 pacient në muaj, siç janë barnat për të sëmurët me leucemi.
Po të nisesh nga vlera më e lartë për recetë sipas barnave është ajo me IMATINIB (Glivec) – e cila shkon në 389.208lek/muaj.
Barnat e tjera vijnë nën këtë vlerë p.sh Valganciclovir për 2011 do të shkojë rreth 210.720 lek /muaj ; Interferon 159.383lek/muaj; Deferasirox 269.724lek/ muaj.
Në dy vite është vënë re trefishim i pacientëve që përfitojnë nga barnat e shtrenjta për sëmundjet e leuçemisë si dhe dyfishim i pacientëve që përfitojnë barnat e shtrenjta për sëmundjen e insuficencës renale (aktualisht sot trajtohen 550 pacientë me këtë sëmundje).
Sëmundjet më të mbuluara me barna janë ato që më frekuente dhe që kanë përdorim më të gjerë për kategoritë e sipër cituara si Sëmundjet e zemrës dhe HTA (tensionit) që zënë rreth 32.2% të shpenzimeve totale , Diabeti që zë rreth 13% ;Anemia nga Insuficienca Renale Kronike me 4.7%; Sëmundjet pulmonare kronike që zënë 7.7%; Sëmundjet nervore 11.1% të shpenzimeve totale ; Talasemia zë rreth 8% .
2. Përfitimi nga skema e sigurimeve
- Gjatë 5-mujorit të 2011 nga MPF e QSH të kujdesit parësor janë trajtuar me receta me rimbursim 309,470 pacientë dhe për pacientët e siguruar janë plotësuar 1,401,143 receta me rimbursim.
- Gjatë 5-mujorit të 2010 nga MPF e QSH të kujdesit parësor janë trajtuar 283,974 pacientë, dhe për pacientët e siguruar janë plotësuar 1,322,324 receta me rimbursim. Pra, gjatë 5 mujorit 2011 janë plotësuar 78,819 receta me rimbursim më shume se në 5 mujorin e vitit 2010.
a.y/NOA