English

Kërcënimi i policisë: Nuk do të lejohen më krisma në dasma

Shkup, (Maqedoni), 8 korrik, NOA - Sekretariati i Punëve të Brendshme në Tetovë paralajmëron fillimin e aksionit për ndalimin e të shtënave nëpër gazmende familjare dhe bllokimin e tyre.

Policia apelon deri te qytetarët që të përmbahen nga gjuajtja me revole ose me lloje tjera të armëve të zjarrit, të cilat kohëve të fundit shpesh janë të pranishme në ahengjet familjare.

“Gjuajtja është në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe dënimi për këtë shkelje sillet prej 200 deri në 500 euro. Përskaj kësaj gjuajta mund të trajtohet edhe si vepër penale, varësisht nga rrethanat dhe pasojat, kurse për të cilën parashihet dënimi me burgim deri në 5 vjet (Neni 288 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë)”, njoftojnë nga policia.

Policia e Tetovës thekson se në rastet kur të përdoret arma do të reagohet, sepse ka ndodhur shpesh ku nga plumbat bredhës kanë humbur jetën persona të ndryshëm si dhe janë shkaktuar dëme materiale.

Përdorimin e armëve të zjarrit nëpër ahengje e kundërshtojnë edhe qytetarët. Ata thonë se është shumë e rrezikshme mbajta e armëve në përgjithësi.

NOA/INA

KOMENTE