Nga Mustafa Nano
Para tri ditësh isha duke drekuar në një lokal pranë rrethrrotullimit të Zogut të Zi. Vetë i tretë. Kur u ulëm nuk vumë re se ç’kishim përreth. E pse do të duhej? Mirëpo ja që ish dashur të shihnim se kush do të ishin fqinjët tanë në harkun e dy orëve të drekës. Dhe këtë e kuptuam nja gjysmë ore më pas, kur kamerierët kishin filluar të sillnin çfarë kishim porositur. Në tavolinën ngjitur me tonën (për dreq, ish një lokal që i kish tavolinat ngjitur, shumë ngjitur), ishin katër vetë. Të zhurmshëm sa më s’ka. E vumë re qysh në krye të herës se ishin të zhurmshëm, por e injoruam këtë fakt. Dhe do ta injoronim heroikisht deri në fund, sikur zhurmaxhinjtë të mos ishin dhe “të fortë”. Ka hyrë tanimë ky term për të përkufizuar saktësisht tipologjinë e atyre djemve, ndonjëherë dhe burrave, të cilët kanë muskuj, makina të shtrenjta me targa të rrumbullakosura, dashnore të bukura e në moshë të re, miq me pushtet, dhe merren me punë të pista. Këta vishen njësoj (dhe kjo është e çuditshme; duket sikur kanë një atelier të tyren), kanë vështrime të njëjta, merren që të gjithë me politikë, kanë në phonebook-ët e tyre numrat e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës etj., kanë marrëdhënie konfidenciale me të gjithë policët, ecin njësoj, d.m.th. si të fortë (meqë ra fjala edhe mua më thonë që eci si i fortë) etj., etj.
Njëri syresh, o ngaqë ish i ngacmuar nga pija, o ngaqë është i programuar të bëjë gjëra të caktuara, zuri të bërtiste më shumë se të tjerët. Po “kruhej” me ne, të majtët e tavolinës pranë, dhe pas çdo fraze provokative, qeshte. Thosh fjala vjen “rroftë Shqipëria blu”, dhe qeshte me të madhe; thosh “komunistët janë shkërdhata”, dhe sërish kakariste; thosh “motërq….t e majtë nuk i duroj dot”, thosh se “Sali Berisha është yll bote”, dhe sërish dëgjohej e qeshura e tij e bujshme. Të qeshurën e tij e mora për shenjë pasigurie e frike (nuk di pse mendoj se të fortët kanë frikë; ndoshta më shumë se të tjerët), por puna ish që ai po na shqetësonte. Po shqetësonte dhe të tjerët aty rrotull, një pjesë e të cilëve ishin me gratë e tyre. E dini? Në rrethana të tilla del gjithnjë një rob nga tryeza e zhurmës, dhe kërkon ta qetësojë “mistrecin” e tryezës, duke i thënë se “lëri të tjerët, pasi ne kemi ardhur për qejfin tonë”, apo “nuk ka kuptim se askush s’na i ka për borxh këtë gjë” etj., etj. Del gjithnjë një rob i tillë, i cili është padyshim idiot, ashtu si trimi i zhurmshëm (ndryshe, s’do të ish në të njëjtën tryezë me këtë të fundit), por është më pak idiot se ai. Dhe “më pak idioti” në një skenë të tillë e ka fare të kollajtë të marrë pozën e “më të mençurit të botës”. Mjaft të thosh: mjaft tani! Mirëpo aty s’u dëgjua asnjë zë i tillë “racional”. Tre të tjerët argëtoheshin më shumë se sa “i forti”.
I dhamë dum punës të iknim nga lokali, dhe ndërsa po iknim m’u kujtua një kacafytje në Parlament midis Sali Berishës e Skënder Gjinushit. Ka gjashtë-shtatë vjet që ka ndodhur. Gjinushi tha diçka të hidhur në adresë të Berishës dhe ky i fundit iu drejtua pak a shumë me këto fjalë: “Ti Gjinush e di mirë, se kush je! Të kujtohet kur ishe në Tropojë para ca muajsh? Të kujtohet me siguri. Ishe ulur në një lokal dhe aty erdhën ca djem të armatosur dhe të dhanë urdhër të dalësh nga lokali. Dhe ti dole. Dole pa thënë asnjë fjalë. Dole me bisht ndër shalë. Dole, e nuk të erdhi turp që dole. Ja, ky je ti Gjinush. Prandaj qepe dhe mos e hap më gojën”. Kam shkruar atë mot, dhe kam denoncuar kodin moral të Sali Berishës, i cili, mu sikur të ish duke jetuar në Mesjetë, turpin nuk e sheh te sjellja e atyre banditëve që hyjnë në lokal të armatosur për të kërcënuar, por tek ata që me banditët s’duan të kenë të bëjnë (e tmerrshme të kesh Kryeministër një zgjyrë të tillë). Dhe është ky kod moral që sundon sot në politikën e në shoqërinë shqiptare, e që lejon e legjitimon protagonizmin e këtyre “të fortëve”. Mund të shkoni ku të doni në Ballkan, por këtë protagonizëm “të fortësh” nuk keni për ta gjetur. Shkoni në Maqedoni, në Mal të Zi, edhe në Kosovë po të doni, por sytë nuk do t’ju zënë të fortë të këtij lloji, që kanë kurajën të sillen kështu në mjediset publike qoftë kundër njerëzve që kanë një status publik, qoftë kundër atyre që s’kanë ndonjë status. Vetëm në Shqipëri ka të tillë. Pse? Sepse vetëm këtu ekziston ky mentalitet që nuk dënon dhunën, por dënon ata që i bëjnë bisht dhunës, sepse vetëm këtu ka njerëz publikë që s’e kanë për gjë (madje, u del nga rropullitë, si të ish jashtëqitja e tyre) të bëhen interpretë të këtij mentaliteti e kësaj kulture. Njëri syresh është Kryeministri ynë. Dhe kjo është një gjë që na turpëron. Sa s’ka ku të shkojë.
Nuk është se më rren mendja që vetëm berishianët sillen kështu. Edhe të majtët e bartin këtë mentalitet, edhe të majtët kanë “të fortët” e tyre. Madje, është ky mentalitet që ka bërë që shumë të fortë të majtë të zgjidhen edhe në krye të bashkive e të komunave. Por “të fortët e djathtë” kanë engjëllin e tyre hëm frymëzues, hëm mbrojtës; kanë Sali Berishën që është vetë i fortë, e ky tipar duket në çdo sjellje të tij (jo vetëm tek ajo anekdota që tregova më sipër).
Shënim përmbyllës: Ai i forti i lokalit të Zogut të Zi u lumturua kur na pa të ngriheshim e të iknim nga lokali për shkak të tij. Unë, tok me miqtë e mi, jemi ca dhjaksa për të; nuk patëm turp, dhe ikëm; ikëm me bisht ndër shalë, e kjo na bën “të dhjerë” edhe për Berishën; të dhjerë më keq se sa Gjinushi, pasi ata djemtë e fortë të lokalit nuk kishin as armë, rrjedhimisht turpi ynë është më i madh.
Gazeta “Shqip”