English

MASH flet për skemën që përdor në përzgjedhjen e librave jashtëshkollorë

Tiranë, 8 Korrik 2011 NOA - Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar detaje rreth rregullave dhe procedurave të përzgjedhjes së librit jashtëshkollor, duke theksuar se fondi për bibliotekat është investim i qeverisë që nga viti 2007.

Ky investim vazhdon prej katër vitesh, me synim që të krijojë në çdo shkollë të Shqipërisë biblioteka që u shërbejnë nxënësve dhe mësuesve. Fondi i akorduar për bibliotekat, përdoret në bazë të akteve të lëshuara nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, ku përcaktohet procedura.

Skema është e mbështetur në listën rekomanduese që hartohet nga dy borde të përbëra nga personalitete të njohura të fushave përkatëse shkencore e artistike. Po ashtu, lista bazohet në përzgjedhjen e librave nga ana e komisioneve te mësuesve në shkolla, sipas parimit të decentralizimit, që nënkupton një pjesëmarrje aktive të mësuesve dhe drejtuesve në këtë proces.

Fondi që i jepet çdo DAR/ZA-je mbështetet në numrin e nxënësve, në parimin lekë për nxënës. Pjesa më e madhe e këtij fondi, 85 për qind, është për literaturë për nxënësit, ndërsa 15 për qind literaturë për mësuesit. Akti nënligjor i ministrit përcakton shprehimisht radhën e prioriteteve të përzgjedhjes së librave në përputhje me listën rekomanduese të shpallur nga MASH, dhe konkretisht:

a. Libra të autorëve të shquar të vendit e të huaj. b. Libra të autorëve shqiptarë fitues në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, c. Libra që shërbejnë si literaturë ndihmëse për nxënësit për përvetësimin e programit që përmban plani mësimor. d. Libra që ndihmojnë nxënësit në veprimtaritë e rretheve shkencore të gjitha lëndëve dhe ato jashtëshkollore si konkurse, olimpiada të niveleve të ndryshme dhe veprimtarive të tjera të ngjashme me to. e. Libra që u shërbejnë mësuesve si literaturë ndihmëse në procesin e përgatitjes dhe kualifikimit të vazhduar.

Duke ndjekur këto procedura është mundësuar një garë e barabartë për të gjithë botuesit. Në vitin 2010, sipas të dhënave të MASH, rezulton se, nga fondi prej 45 milionë lekë, kanë përfituar rreth 40 subjekte botuese. Përqindja më e madhe e këtij fondi u përdor për blerjen e veprës së plotë të Kadaresë. MASH ka insistuar dhe insiston në respektimin e plotë të kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e librit. MASH tha se do të insistojë që bibliotekat e shkollave të pasurohen me vepra të autorëve më të shquar vendas e të huaj që do të shërbejnë për edukimin e nxënësve dhe kualifikimin e vazhduar të mësuesve. ”Jemi të vetëdijshëm që sistemi i decentralizuar i përzgjedhjes së librit ka funksionuar, por ai nuk është i çliruar nga mangësitë. Rastet e përmendura në shtyp po verifikohen nga Drejtoria e Auditit”, thekson MASH, duke siguruar në fund se ajo mbetet e hapur për të bashkëpunuar me botuesit dhe shoqatat në funksion të përmirësimit të skemës së krijimit dhe pasurimit të bibliotekave në çdo shkollë.

e.t/NOA

KOMENTE