Tiranë, 8 korrik 2011, NOA- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, prezantoi sot draftin për “Rregulloren për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”.
Gjatë prezantimit të këtij drafti i cili pritet të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave Naço tha se, hartimi i këtij drafti për aktivitetin e kërkim-prodhimit të hidrokarbureve ishte i domosdoshëm.
“Drafti ka një karakter rregullator tekniko-administrativ dhe ka si qëllim saktësimin e rolit rregullator dhe kontrollues të Shtetit nëpërmjet organeve, institucioneve dhe strukturave përkatëse, të cilat ngarkohen me ligj për administrimin e aktiviteteve në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve”, u shpreh kreu i METE.
Në vijim Naço theksoi se në aktivitetin e kërkimit të hidrokarbureve, gjatë këtyre viteve janë kryer operacione hidrokarbure në pothuajse shumicën e blloqeve të kërkimit, tokë dhe det, duke u investuar në total rreth 800 milionë dollarë.
Ministri theksoi se drafti synon të saktësojë edhe rolin rregullator dhe kontrollues të Shtetit nëpërmjet organeve, institucioneve dhe strukturave përkatëse, të cilat ngarkohen me ligj për administrimin e aktiviteteve në sektorin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, si dhe të vendosë rregullat dhe normat metodologjike e shkencore për shfrytëzimin dhe ruajtjen e mbi dhe të nëntokës në blloqet e kërkimit dhe në vendburimet e naftës dhe të gazit, gjatë zhvillimit të operacioneve hidrokarbure nga ana e kompanive të huaja dhe vendase.
a.y/NOA