English

Ndihmuan për përballimin e përmbytjeve, Topi dekoron ushtarakët e FSK

Tiranë, 8 korrik 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topinjë ceremoni të organizuar në Presidencë dekoroi tre përfaqësues të shquar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Të dekoruarit e Presidentit janë Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimi, Kapiten Ejup Maqedonci dhe Tetar Valdrin Kelmendi, të cilët kanë kontribuar në përballimin e situatës së renduar për shkak të përmbytjeve në fundvitin e kaluar, në rrethin e Shkodrës.

Në këtë ceremoni, Presidenti Topi i dorëzoi Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimit “Medaljen e Arte të Shqiponjes” me motivacionin: “Për kontribut të çmuar në përballimin e fatkeqësive natyrore gjatë përmbytjes në rajonin e Shkodrës”.

Nën të njëjtin motivacion, Kreu i Shtetit u dorëzoi Kapiten Ejup Maqedoncit dhe Tetar Valdrin Kelmendit, Medaljet “Për Sherbime Ushtarake” së bashku me dekretet përkatëse.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Presidenti Topi u shpreh se, “Të gjithë e kemi në memorje atë situatë të vështirë që u krijua në zonën e Shkodrës, në rrethinat e Shkodrës. Besoj që ka qenë një moment kur solidariteti njerëzor, por mbi të gjitha angazhimi dhe profesionalizmi juaj bënë që të gjithë të ndihen krenarë për atë ndihmë të menjëhershme që erdhi nga qeveria e Kosovës dhe posaçërisht nëpërmjet Forcave të Sigurisë së Kosovës”.

Më tej ai shprehu bindjen se ndërtimi i institucioneve të reja të Kosovës, ku padyshim bën pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do bëhet sipas të gjitha standardeve të NATO-s.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

a.y/NOA

KOMENTE