English

Përfundon beteja ligjore, mbetet në fuqi vendimi i KQZ, Basha fitues

Tiranë, 8 korrik, NOA – Vendimi i marrë sot nga Kolegji Zgjedhor për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste, që kërkonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë, ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shpalli Lulzim Bashën fitues në kryeqytet me 92 vota.

Relatorja e çështjes, gjyqtarja Shasenka Jonuzi, në shpalljen e vendimit të sotëm argumentoi se kërkesë padia e Partisë Socialiste është dorëzuar jashtë afateve të caktuara ligjore.

Padia e PS kërkonte që Kolegji të detyronte KQZ-në që të merrte në shqyrtim kërkesën e saj për pavlefshmëri. Kërkesë, e cila ishte trajtuar më parë nga ana e KQZ.

Juristët e Partisë Socialiste, pas dhënies së vendimit, nuk pranuan të bënin komente duke theksuar se për këtë çështje do të kishte një qëndrim zyrtare në selinë rozë. Pritet që të jetë kreu i PS-së, Edi Rama ai që do të komentojë vendimin e Kolegjit. Ndërkohë që juristët e Partisë Demokratike, deklaruan në mënyrë jo zyrtare, se me vendimin e sotëm, Partia Socialiste nuk ka më asnjë mundësi ligjore për të ankimuar rezultatin. Në këtë mënyrë, Lulzim Basha është certifikuar si fitues i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e 8 majit.

Zgjedhjet në Tiranë patën dhe betejën me të gjatë ligjore mes dy kampeve. Partia Socialiste ka dorëzuar 4 padi në Kolegjin Zgjedhor, të cilat janë pranuar pjesërisht ose janë rrëzuar nga ky institucion. Dy paditë e fundit të PS-së u bënë në datën 30 qershor dhe 2 korrik. Në padinë e 30 qershorit, PS kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve nga Kolegji dhe anulimin e vendimit të KQZ-së për shpalljen e fituesit. Ndërsa në padinë e 2 korrikut, duke hequr dorë nga padia e datës 30, PS kërkoi që Kolegji të detyronte KQZ-së për të marrë në shqyrtim edhe një herë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.

a.k/NOA

KOMENTE