English

Prezantohen histori suksesi të punësimit të personave me aftësi të kufizuara

Tiranë, 8 Korrik 2011 NOA - “Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” dhe “Fondacioni Vodafone Albania” iu dedikuan për një vit çështjes së punësimit të personave me aftësi te kufizuara.

Sukseset e kësaj eksperience janë përfshirë në librin “Unë Jam - Histori Suksesi të Punësimit të Personave me Aftësi të Kufizuara” i cili u prezantua dje në sallën e teatrit 'Metropol' në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zonja e Parë Teuta Topi, zv Ministrja e Arsimit, Znj. Nora Malaj, Ambasadorja Angleze Fiona Mcilwham, Drejtori i Fondacionit Vodafone Albania z. Albi Greva si dhe skuadra e “Fondacionit Shqiptar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara” si edhe përfaqësues të shoqërisë civile e administratës publike, përfitues të kësaj iniciative nga e gjithë Shqipëria.

Në përshëndetjen e saj Malaj falënderoi të gjithë partnerët që e sollën këtë iniciativë në një sukses dhe mori përsipër të kontribuojë direkt në institucionin e saj në hapjen e mundësive të reja për këtë komunitet.

Drejtori i Fondacionit Vodafone Albania, Z. Albi Greva tha në fjalën e tij se ka besim se kushdo që do t’i lexojë historitë në këtë libër, do arrijë të kuptojë më mirë botën e ndjenjave e nevojave të personave me aftësi ndryshe, të kuptojë dëshirën dhe mundësitë e tyre për të jetuar suksesshëm si dhe pafundësinë e mundësive që ka gjithsecili për të bërë më shumë.

“Suksesi i vërtetë do jetë nëse arrijmë që secili prej nesh në ditët e ardhshme të mund të shtojë fletët e këtij libri dhe të themi krenarisht : “Po, e ndjej se do të bëj akoma më shumë!”. – shtoi z.Greva.

Ky libër është përgatitur në kuadër të projektit “Punësimi i personave me aftësi ndryshe” financuar nga Fondacioni Vodafone Albania dhe zbatuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ky projekt synoi dhe arriti të realizonte krijimin e një regjistri të dhënash për përfituesit në 5 zona të vendit, krijoi mundësi të reja për kualifikimin e tyre dhe loboi për punësimin e tyre.

Vetëm në sajë të këtij projekti, 20 persona me aftësi të kufizuara u punësuan. Në këtë libër përfshihen histori suksesi nga impakti i këtyre përpjekjeve, si dhe shembuj të tjerë frymëzues të punësimit të personave me aftësi të kufizuara.

Historitë e suksesit të prezantuara në këtë botim tregojnë më së miri se edhe njerëzit me aftësi te kufizuara duan dhe përpiqen fort për të qenë denjësisht pjesëmarrës e kontribuues në ndërtimin e një shoqërie që u përket të gjithëve.

a.b/NOA

KOMENTE