English

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, fjala e plotë e kryetarit të PS-së, Edi Rama

Nga Edi Rama

Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse Kolegji Zgjedhor vulosi një grabitje të dhunshme ditën për diell dhe, sy për sy, përpara një populli të tërë, nxori humbësin fitues duke bërë qorrin e shurdhin si në çdo regjim pa drejtësi.

Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse të gjithë e dinë të vërtetën e zgjedhjeve në Tiranë, edhe qytetarët, edhe gazetarët, edhe ndërkombëtarët, edhe gjyqtarët, edhe kusarët.

Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse akti i Kolegjit Zgjedhor flet më shumë se çdo fjalë për kapitullimin pa kushte të drejtësisë, nën trysninë e një pushteti kusarësh e matrapazësh që i lejojnë vetes çdo gjë dhe nuk ndëshkohen për asgjë.

Sot fjalët e çdo shqiptari që nuk vjedh janë të tepërta, sepse sot çdo hajdut ka të drejtë ta festojë lajmin që vjedhjen në Shqipëri ligji mund ta dënojë sa të dojë, po gjykata mund ta lejojë kur të dojë.

Sot fjalët janë të tepërta, sepse drejtësia në Shqipëri ka vdekur.

Ndërsa opozita do të flasë me një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrësit e saj.

KOMENTE