Tiranë, 9 korrik 2011, NOA Update – Pas shpalljes kampion bote për të rinjtë, Daniel Godelli, peshëngritësi 19-vjeçar shqiptar synon maksimumin si në Botërorin e Parisit për të rritur, ashtu edhe në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012. “Medalja e artë dhe podiumi është një mision i mundshëm, si në Kampionatin Botëror të të Rriturve, që do të mbahet në nëntor të këtij viti, ashtu edhe në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm”, deklaroi peshëngritësi Godelli.
19-vjeçari Daniel Godelli u shpall në 2 korrik kampion i botës për të rinj, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për këtë grupmoshë, i mbajtur në Pineng të Malajzisë.
Ai spikati në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, duke marrë dy medalje të argjendta, në shkëputje dhe në shtytje, dhe një medalje të artë në dygarësh.
Në konferencën për shtyp të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Godelli e cilësoi këtë një arritje të madhe, duke theksuar edhe faktin se garoi i dëmtuar, pasi ende nuk e ka kapërcyer dëmtimin e pësuar në Evropianin e Kazanit.
“Në fakt, është e vërtetë se i kam humbur dy medalje të arta për shkak të peshës time trupore, por edhe dy medalje të argjendta nuk janë pak, deklaroi Godelli për AlbanianSport.net.
Godelli premtoi medalje edhe në evenimentet e ardhshme, por theksoi se për të arritur suksese në nivele ndërkombëtare, lipset një mbështetje edhe më e madhe.
“Në fakt, unë e kam provuar podiumin me medaljen e bronxtë që mora në Evropianin e të Rriturve që u zhvillua para tri javësh në Rusi”, u shpreh sportisti peqinas.
“Prandaj do të thoja që në Botërorin e Parisit, medalja është një mundësi reale, por synimi është që të shkojmë më larg se e bronxta, vijoi ai, duke përsëritur se arritjet e mëdha në arenën ndërkombëtare kanë nevojë për një mbështjetje po aq të fuqishme.
“Unë do të falënderoja këtu për mbështetjen maksimale që kam marrë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes, në përgjithësi, dhe nga ana e vetë presidentit Esat Ademi", nënvizoi peshëngritësi, duke kërkuar mbështetje edhe më të madhe nga ana e institucioneve shtetërore dhe biznesi.
Arritja e Godellit është përshëndetur edhe nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Presidenti Esat Ademi, i cili e konsideroi Godellin si një sportist të shkëlqyer.
“Është një sportist që ka patur rezultate mbresëlënëse, që kur ishte 14 vjeç, dhe brenda vetëm 5 vjetësh, ka spikatur kudo ku ka konkurruar”, u shpreh kreu i peshëngritjes shqiptare.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, tha se kjo medalje ari e Daniel Godellit, ishte qershia mbi tortë midis 22 medaljeve të fituara deri më tani në të gjitha nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare, nga të cilat 8 të tjerat janë ari, 6 argjendi dhe 7 bronxi.
“Deri më tani, brenda vitit 2011, sportistët shqiptarë kanë marrë 15 medalje (1 ari, 9 argjendi dhe 5 bronxi), të cilat u shtohen 160 medaljeve të marra në këto 62 vjet ekzistencë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duke e çuar në total në 175 medalje këtë bilanc të shkëlqyer”, bëri me dije Kraja.
Ai falenderoi peshëngritësin e ri Daniel Godelli dhe të gjithë sportistët cilësorë, trajnerët dhe ata që kanë kontribuuar për sukseset e jashtëzakonshme të arritura deri më tani.
mit/NOA