Lushnje, 9 korrik 2011, NOA – Një biznesmen nga fshati Çermë i Lushnjes është grabitur nga tre të rinj në banesën e tij.
Nazmi Muça, një biznesmen inertesh, kallëzoi në polici se i kishin vjedhur 3 milionë lekë në banesën e tij në fshatin Çermë.
Policia e Lushnjes pas hetimeve doli në përfundimin se biznesmeni Muça ishte grabitur nga nipi dhe dy shokët e tij.
Nipi i biznesmenit, 18-vjeçari Bajram Muça dhe dy shokët e tij, Kujtim Karaj 20 vjeç dhe Shkëlqim Allkaj 19 vjeç u arrestuan nga policia dhe pranuan vjedhjen.
Tre të rinjtë kishin hyrë në shtëpinë e biznesmenit gjatë paradites dhe kishin grabitur shumën e parave, ndërsa vetë biznesmeni ndodhej në banesë.
Nipi i biznesmenit gjatë marrjes në pyetje në komisariatin e qytetit pranoi se i kishte bërë kopje çelësit të shtëpisë së xhaxhait duke vënë në jetë kështu grabitjen e parave në mes të ditës dhe nën hundën e xhaxhait.
Ndërkohë që biznesmeni Nazmi Muça dhe familja e tij ishin në banesë, tre të rinjtë hynë nga dera e pasi vodhën paratë dolën nga dritarja e dhomës.
Policia bën me dije se paratë e grabitura nuk janë gjetur ende.
mit/NOA