English

Kusari-Lila: Produktet serbe në Kosovë, vendosim në bisedimet radhës

Tiranë, 9 korrik, NOA - Qeveria e Kosovës do të presë raundin e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për të vendosur masa reciproke karshi produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, tha në një intervistë zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Zonja Kusari-Lila në Raportin e fundit të Bankës Botërore, Kosova është cilësuar si vend i pafavorshëm për biznes, sidomos në procedurat për regjistrimin e një biznesi. Cilët janë hapat që do të ndërmerren në përmirësimin e kësaj fushe?

Raporti i fundit, fatmirësisht është mbyllur për vlerësim në janar të vitit 2011, domethënë nuk e ka përfshirë pjesën e marrjes së qeverisjes së re dhe procesin e reformave, të cilin ne e kemi paralajmëruar. Prandaj, ne, natyrisht se i marrim me shumë seriozitet të gjitha vlerësimet që janë bërë dhe fakti që Prishtina dhe Prizreni, si dy qytete të mëdha, ose dy komuna të mëdha të Kosovës nuk radhiten mirë, ose radhiten më së ulëti në rajon, është shumë brengosës. Por, gjithsesi ne jemi duke i adresuar këto çështje në raport me shkurtimin e kohës së regjistrimit të biznesit, shkurtimin e kohës së eksportit dhe importit, gjegjësisht qarkullimit të mallrave jashtë Kosovës. Pastaj, në kuadër të procesit të licencimit, marrjes së licencave, shkurtimit të kohës, reduktimit të numrit, por gjithashtu një numër i vlerësimeve dhe indikatorëve që janë prezantuar në Raportin e Bankës Botërore, kanë të bëjnë edhe me qeverisjen lokale. Ne, prej fillimit, kemi thënë se reformat e bëra përgjithësisht për ambientin e biznesit, nuk mund të jenë reforma që udhëhiqen vetëm nga qeveria qendrore, pa pasur bashkëpunim me qeverinë lokale dhe këtu është ajo sfida për arsye se duhet të kalohen barrierat ose paragjykimet politike të partive të ndryshme - nënkuptohet se kryetarët e komunave janë nga parti të ndryshme politike, dhe duhet të gjithë të kemi fokusin në agjendën zhvillimore. Vetëm kur ta arrijmë këtë, mund t’i tejkalojmë këto barriera. Në raport me qeverisjen lokale, problematike janë prezantuar marrjet e lejeve të ndërtimit, pastaj leja e punës, kemi pasur së fundi raste të mbylljes së kompanive për shkak të kontesteve që kanë pasur në nivelin komunal për lejet e punës. Në, të paktën, dy ligje, të cilat kanë kaluar leximin e dytë, tani këto ditë pritet të hyjnë në fuqi në Kuvendin e Kosovës, kemi bërë një heqje të tërësishme të lejes së punës në nivelin komunal, domethënë hiqet tërësisht – çka do të ulë koston, por edhe do të ulë ditët e fillimit të biznesit. Në anën tjetër, me Ligjin për tregtinë e brendshme, gjithashtu kemi shkurtuar ditët prej 18 në 4 të eksportit dhe importit të mallrave.

Gjatë javës së kaluar në Prishtinë është mbajtur takimi i radhës i përfaqësuesve të vendeve anëtare të CEFTA-s. Çka është diskutuar dhe cilat janë rezultatet nga ky takim?

Po, takimi ka qenë njëditor dhe është mbajtur në dy pjesë: pjesa teknike dhe pjesa e pasdites që është diskutuar në nivelin e zëvendësministrave. Në pjesën teknike janë diskutuar çështjet e administrimit, domethënë të sekretariatit të CEFTA-s, pjesë të zakonshme që hyjnë në secilin prej diskutimeve, ndërsa edhe në pjesën e pasdites ka pasur një agjendë që është diskutuar për barrierat tregtare, por gjithashtu edhe për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje. Kemi pasur shumë presion dhe e dini se edhe në media është perceptuar në forma të ndryshme mosdiskutimi i bllokimit të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës ndaj mallrave të Kosovës. Këto dy çështje janë konsideruar në vazhdimësi si çështje bilaterale ndërmjet shteteve, sepse sikur ne të kishim vendosur që ta hedhim këtë në diskutim në kuadër të marrëveshjes së CEFTA-s, atëherë përgjigja do të ishte se duhet të autorizohet UNMIK-u që në emër të Kosovës që të veprojë dhe të kërkojë zgjidhjen e kontestit. Duke marrë parasysh se ka 3 vjet që Kosova ka shpallur pavarësinë dhe tani institucionet e Kosovës nuk e autorizojnë më UNMIK-un të veprojë në emrin e tyre, por dëshirojnë të marrin pronësi mbi procese - kjo edhe është arsyeja që ne nuk e kemi prezantuar siç çështje dhe në vazhdimësi e kemi arsyetuar edhe para opinionit publik që Kosova i jep shans dialogut teknik Prishtinë-Beograd. Kemi qenë dhe jemi në kontakt edhe me Qeverinë federale të Bosnjë e Hercegovinës në raport me masat e reciprocitetit dhe këtu është lënë që në kuadër të diskutimeve për muajin korrik që ende nuk janë mbyllur, domethënë dialogut teknik, të pranohen vulat e doganave të Kosovës, sepse deri më tani mospranimi i tyre ka qenë shkelje ose një vendim politik nga ana e Serbisë dhe Bosnjës.

Por, ju patët paralajmëruar për masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Pse nuk janë ndërmarrë këta hapa?

Kemi paralajmëruar dhe qëndrojmë prapa asaj çfarë kemi thënë. Publikisht kemi thënë që deri më 15 qershor - atëherë kur ishte paraparë të mbahej dialogu Prishtinë-Beograd, do të presim pranimin dhe do të prezantojmë taksën prej 10 për qind, domethënë taksën doganore, që të mos i trajtojmë Serbinë dhe Bosnjën si vende të CEFTA-s. Ndërsa, më vonë, nëse nuk ka pranim fare, atëherë do të shkojmë me reciprocitet të plotë, që do të thotë bllokim i tërësishëm i hyrjes së mallrave boshnjake dhe serbe në territorin e Republikës së Kosovës, pra të gjitha mallrave që kanë vulën e doganave të këtyre dy shteteve respektive.

Në atë kohë ju e dini se takimi i dialogut Prishtinë - Beograd u shty dhe ne morëm sinjale nga Bashkimi Evropian se Serbia është e gatshme që t’i pranojë vulat e doganave, ndërsa aplikimi i masës doganore mund t’i tërheqë dhe të jetë si arsyetim për mospranim të mëtutjeshëm. Duke marrë parasysh se synimi ynë kryesor është arritja e pranimit të vulave dhe lëvizja e lirë-qarkullimi i mallrave, ne këtë afat nuk është se e kemi anuluar ose e kemi tërhequr nga vendimi, por vetëm e kemi shtyrë për një muaj.

Ashtu siç edhe u deklarua se u arritën tri marrëveshje, pritet që në pjesën e dytë të korrikut të arrihet edhe marrëveshja për vulat e doganave, pas së cilës ne atëherë do të sjellim vendime që, në rast se nuk arrihet marrëveshje, do të aplikohen masat e reciprocitetit të plotë.

Ne kemi thënë se në momentin e parë kur nuk u mbajt takimi, ka qenë data 15 qershor, u është dorëzuar letër zyrtare kryenegociatorit zotit Kuper, përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, zotit Xhenitilini, zëvendëssekretarit të Shtetit amerikan, zotit Kantrimen, si pjesëmarrës në këto bisedime, zëvendëskryeminstres Tahiri dhe kryeministrit Thaçi, në të cilën kemi deklaruar se si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë, përgjegjëse për politikat tregtare, do të presim edhe raundin e bisedimeve gjatë muajit korrik, pas së cilit më nuk do të ketë shtyrje dhe Kosova do të aplikojë reciprocitetin e plotë.

Kjo gjithmonë në synim të zgjidhjes së problemit dhe marrjes seriozisht të shteteve si Serbia dhe Bosnja që ta kuptojnë seriozisht Kosovën se për ata është humbje dhe jo për ne, kjo për faktin se për ta ka qenë një treg i garantuar, ndërsa ne nuk kemi mundur as transit t’i kalojmë mallrat.

Zonja Kusari-Lila, që nga fillimi i këtij viti Kosova nuk gëzon preferencat tregtare, të cilat i vë Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Cilët janë hapat që do të merrni për zgjidhjen e këtij problemi dhe a keni identifikuar sa janë humbjet e komunitetit të biznesit?

Kemi vlerësuar se ka diku një vlerë totale të eksportit për BE-në mbi rreth 140 milionë euro, ndërsa edhe me këtë çështje jemi marrë që në muajt e parë të marrjes së ministrisë dhe kemi diskutuar. Kjo rrjedh prej një problemi politik, i cili është iniciuar prej vullnetit të mirë të Mbretërisë së shteteve të Bashkuara për të ndërrua denomiminimin e Kosovës, gjegjësisht jo të jetë e thirrur si Kosovë sipas rezolutës 12 44, por të jetë e thirrur si Kosovë pa ndonjë paragjykim ndaj statusit.

Ka kaluar në një problem procedural në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian, gjegjësisht në mes të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian. Në vizitën tonë në prill në Bruksel, na është thënë se kjo çështje do të zgjidhet deri në qershor, përkatësisht më 22- 23 qershor, kur do të mbahet seanca e Parlamentit. Doli se deri atëherë nuk u arrit një konsensus për politikën e jashtme të BE-së, domethënë amandamentimet, të cilat ishin planifikuar të bëheshin deri në atë periudhë, dhe tani kjo çështje shtyhet deri në shtator.

Ndërkohë institucionet e BE-së po mundohen që përmes Komisionit Evropian të arrihet një konsensus që në shtator kjo çështje të zgjidhet, por nuk është më çështje, e cila rëndon dhe pret aktivitet nga institucionet e Kosovës.

Ne kemi qenë dhe jemi ende të involvuar, e kemi diskutuar këtë në kuadër të Drejtoratit për Zgjerim, me Pier Mirel, i cili ishte tani në Kosovë. Gjithashtu u përmend edhe një prej sfidave të Kosovës për integrim edhe rajonal, edhe në kuadër të institucioneve të BE-së, dhe u tha që u mbetet vetëm institucioneve të BE-së që në mënyrë sa më të drejtë ta zgjidhin këtë çështje që padrejtësisht iu imponua Kosovës si problem i izolimit tregtar ndaj vendeve të BE-së.

Si e vlerësoni ndërprerjen e programit 18-mujor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe sa është shuma e mjeteve materiale që Kosova ka humbur për këtë vit nga ky institucion?

Pas një vendimi të Qeverisë së republikës së Kosovës për rritjen e pagave, të gjithë e dimë që është arritur një konsensus në modifikimin e programit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Mjete të drejtpërdrejta Kosova nuk ka humbur, në fakt është shtyrë e drejta për të marrë kredi të butë nga FMN-ja për këtë vit, gjegjësisht për pjesën e dytë të vitit 2011 dhe kjo tani shtyhet tani për vitin 2012. Flasim, gjithashtu, për një proces që në njëfarë forme e ka treguar një pjesë të sovranitetit dhe vendosmërisë së institucioneve të Kosovës për të çuar deri në fund një premtim të dhënë nga kryeministri në fushatë - pastaj të kthyer në vendim qeveritar. Por, gjithashtu, ka treguar se për vendime të vështira, ka edhe kosto, ashtu siç u dha në këtë rast, por jo domosdoshmërisht që ne të mund të themi se kemi humbur.

Unë nuk do të pajtohesha me vlerësimin se mjetet janë humbur, është shtyrë afati i disporsimit të këtyre mjeteve dhe Fondi Monetar ndërkombëtar do të dërgojë një mision monitorues në shtator, domethënë në vjeshtë të këtij viti, për të vlerësuar se në ato pika, në të cilat janë akorduar me Qeverinë e Kosovës, sa ka qenë kjo qeveri në përputhje me programin monitorues, të cilin tani kanë ata në Kosovë.

NOA/RFE

KOMENTE