Shkup, 9 korrik 2011 NOA - Dy partitë BDI dhe VMRO - DPMNE kanë shtyrë për javën tjetër zbardhjen e përbërjes së re qeveritare. Shkak për këtë është bërë mosarritja e marrëveshjes për ndarjen e disa drejtorive të rëndësishme. Paraprakisht, BDI ka kërkuar të drejtojë njërën nga dy drejtoritë relevante të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim si dhe njërën nga dy drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave: Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo Drejtorinë e Doganave.
Negociatat po vijojnë edhe lidhur me ndarjen e disa drejtorive të tjera, ndërsa marrëveshja është drejt finalizimit edhe për platformën politike, që BDI synon të përfshijë në programin qeveritar.
Nga BDI akoma nuk kanë zbardhur asnjë emër se kush do të drejtojë ministritë dhe disa drejtues, që do të jenë në pozitat e zëvendësministrave, sekretarëve shtetëror dhe drejtorive.
Nga ana tjetër, edhe në VMRO-DPMNE asnjë emër nuk është përfundimtar rreth përfshirjes në kabinetin e ri të Nikolla Gruevskit.
a.q/NOA