English

Pacolli shpall në Tiranë Lëvizjen për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit

Tiranë, 9 korrik 2011, NOA – Ashtu siç paralajmëroi pasi u zgjodh në krye të shtetit të Kosovës në muajin shkurt, ish-presidenti i Kosovës dhe zëvendëskryeministri aktual Behgjet Pacolli shpalli në Tiranë Lëvizjen për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit.

Zoti Pacolli e shpalli lëvizjen gjatë një forumi të organizuar në Tiranë nga dy universitete private të Tiranës dhe Prishtinës.

Gjatë fjalës së tij Behgjet Pacolli u shpreh se ideja, që ai vetë kish shpallur në Parlamentin e Shqipërisë kur erdhi si President i sapozgjedhur i Kosovës, për krijimin e një hapësire mbarëkombëtare të zhvillimit, një lloj bashkimi kombëtar, që nis nga ekonomia u përkrah nga intelektualët më të shquar të hapësirës shqiptare.

Ai veçoi këtu akademik Rexhep Qosjen, duke shprehur falenderimin për besimin që i dha forumi i Tiranës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës vlerësoi referimet akademike mbi zhvillimet e ndryshme që nga bujqësia, tregu i përbashkët energjetik, bashkëpunimi akademik, ai diplomatik, etj.

Lëvizja për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit do të ketë një bord besimi, të përbërë nga tre ish-presidentët, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Behgjet Pacolli, si dhe nga Arbën Xhaferri, e dy akademikët prof. Faik Brestovci dhe Dr. Teuta Dobi.

Në krye të bordit u zgjodh frymëzuesi i kësaj lëvizjeje, Behgjet Pacolli.

Pacolli në fund të fjalës së tij lajmëroi se tani është koha për një periudhë pune aktive.

Ai i ftoi pjesëmarrësit të marrin pjesë në konferencën e radhës mbi bashkëpunimin arsimor që do të mbahet në vjeshtëPrishtinë, ku siç tha do të jepen ide të reja për bashkëpunimin mbarëkombëtar në këtë nismë.

mit/NOA

KOMENTE