English

Përfundoi, pas 2 muajsh e shtuna e parë pa numërim-rinumërim-ankimim

Tiranë, 9 korrik 2011, NOA- Pas plot dy muajsh beteje në dyert e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ato të Kolegjit Zgjedhor, kjo është e shtuna e parë ku nuk ka më ankimim as nga radha e Partisë Socialiste dhe as nga ana e Partisë Demokratike.

Kolegji Zgjedhor e tha fjalën e vet, Lulzim Basha është i zgjedhuri i kryeqytetasve për të drejtuar Bashkinë e Tiranës në katër vitet e ardhshme, edhe pse ishin 93 vota ato që vulosën fitoren.

Ndërsa të shtunave nuk kishte Kolegj, ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që vijonte numërimin e kutive të votimit të kontestura, për ti lënë më tej gjatë javës radhën Kolegjit Zgjedhor, për të shqyrtuar ankimimet e bëra nga radhët e socialistëve pas vendimit të dhënë nga ky institucion, lidhur me numërimet e bëra dhe rezultatin e dalë nga ky proces.

Por ama, këtë herë Kolegji foli për të fundit herë, nga Odiseja e numërim-rinumërim-ankimim të gjithë pranuan fituesin e Tiranës, përveç Edi Ramës... por, Lulzim Basha arriti të merrte çdo betejë në çdo derë ku gara e Tiranës u përball.

Sakaq ashtu si në fillim edhe në vijim Partia Socialiste dhe kreu i saj Edi Rama, i cili tashmë ngeli pa asnjë post zyrtar, nuk e pranuan rezultatin, madje ishte vetë ai që tha pasditen e djeshme se Kolegji Zgjedhor vulosi grabitjen e dhunshme të votës në Shqipëri, duke bërë qorrin dhe shurdhin.

Më tej ai tha se, “Drejtësia ka vdekur. Opozita do të flasë më një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe shpëtuar Shqipërinë”.

Në kundërpërgjigje qytetari i parë i Tiranës Lulzim Basha në fjalimin e fitores u premtoi qytetarëve se fitorja e tij është e ligjshme dhe se do të drejtojë Tiranën duke dëgjuar së pari zërin e qytetarëve.

Por për të bërë këtë Lulzim Bashës i mjaftuan vetëm 30 sekonda fjalë të relatores së kësaj çështje në Kolegj, Sashenka Jonuzi e cila rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për tejkalim afati.

Ndërkaq do të jetë e marta koha kur kryebashkiaku i ri do të marrë postin edhe me shkrim, pasi atëherë do të zbardhjet edhe vendimi nga trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor.

a.y/NOA

KOMENTE