Dubrovnik, 9 korrik 2011 NOA - Gjatë punimeve të samitit të 6-të të Kroacisë, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashme pati një takim dypalësh me nënsekretarin amerikan të shtetit William Burns, ku u fol mbi marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet politike në Shqipëri dhe situatën në rajon.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit në MPJ, Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe theksoi se "forumet e biznesit që po organizojmë, do të rrisin volumin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Tani është koha që investimet amerikane të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri".
Nënsekretari Burns tha se partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është i rëndësishëm dhe vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në Afganistan dhe në Tunizi.
“Pavarësisht situatës politike,- tha z. Haxhinasto - vendi ka stabilitet dhe ekonomia tregon një rritje të vazhdueshme.”
Nga ana e tij, z. Burns tha se tashmë Shqipëria duhet që të përqëndrohet në axhendën e integrimit evropian.
“SHBA është e gatshme t’ju ndihmojë në rrugën tuaj, sepse partneriteti midis dy vendeve është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, deklaroi ai.
Lidhur me rajonin, u thekua rëndësia e integrimit të rajonit si i tërë në strukturat euro-atlantike dhe z. Haxhinasto nënvizoi se tashmë është koha që edhe Kosova të jetë pjesë e proceseve të bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes euroatlantike të gjithë rajonit.
Ministri Haxhinasto theksoi se është e rëndësishme që marrëveshjet e realizuara në procesin e dialogut Kosovë- Serbi të zbatohen. Ai u shpreh se domosdoshmëri është vazhdimi i integrimit Evropian për Kosovën, ku lëvizja e lirë drejt zonës Shengen është hapi i parë i rëndësishëm.
a.q/NOA