Nga Edi Lesi
Lajmëtari i ndryshimit u bë vetë qyteti. Ishte e dukshme se Tirana kishte nevojë për ajër të ri, jo vetëm më të pastër nga ana ekologjike, por sidomos të pandotur nga ngjarje e zhvillime të lodhshme politike. Kryeqyteti ngjante të ishte gati prej kohësh për të ndërruar lëkurën, vetëm se priste hijerëndë, me atë rreptësinë e një jurie të vështirë, se kush do të ishte kandidati dhe platforma e tij. Gjakimi i Tiranës për ndryshim pati një fatalitet të këndshëm kur u përplas me Lulzim Bashën dhe projektin e tij. Nga ky takim lindi reaksioni që sosi me rotacionin më të vështirë të mundshëm në historinë e betejave vendore në Shqipëri. Të shumtë ishin ata që besonin se Edi Rama do ta hante në vaktin e tij të katërt edhe kundërshtarin e radhës. Mirëpo, kishte ndodhur një ndryshim. Përpara gjendej një platformë e re, stil i ri, fushatë befasuese, energji pozitive…E gjitha kjo, hapur dhe pa asnjë maskë apo drojë partiake. Kur Lulzim Basha tha gjatë fjalimit të tij në fund të marsit, si u shpall zyrtarisht kandidat për kryebashkiak, se Edi Rama nuk është armiku ynë, salla e zhurmshme e pallatit të sportit ngriu për një hop. Mirëpo kjo nuk ishte një paralizë e gjatë. Sekush nga demokratët e kuptoi se nuk kishte tradhti. Por një qasje të re. E tillë që të bënte rezonancë përtej sinorëve blu, siç u konfirmua çdo ditë të fushatës.
Gara nuk ishte aspak e lehtë. Jo vetëm se të dhënat historike flisnin për një diferencë që mund të zerohej vetëm me një kapërcim pindarik, por edhe pse kryetari i socialistëve, në gjysmën e dytë të fushatës, u fut në një përpjekje të njëmendët për ta mbajtur me çdo kusht Bashkinë, trampolinën e tij të madhe politike, që i kishte dhuruar kaq shumë bonuese e ofiqe.
Luli i vogël po rezultonte çdo ditë me përmasa të tjera, të kundërta me ato që socialistët dhe vetë udhëheqësi i tyre e përtallnin në krye, publikisht, kandidatin e Aleancës për Qytetarin.
Fushata pozitive, dëgjimi pa bezdi dhe pa ngut i qytetarëve dhe i halleve të tyre, gërshetuar me premtimet dhe vizionin për të ofruar zgjidhje, krijuan rrathët në ujin e ndenjur të Tiranës që nisën të zgjeroheshin dita-ditës.
Nëse Lulzim Bashën nuk e kanë takuar dot gjithë tiranasit gjatë fushatës, është e sigurt se çdo hall apo problem i çdokujt u bë i njohur dhe u mbajt shënim.
Ndryshimi kishte marrë formë dhe kishte hyrë në shina, dhe kjo ndihej e u bë e prekshme. Tetë maji ishte thjesht rasti për ta parë e vërtetuar atë që vetë Tirana kishte lajmëruar.
Ardhja e Lulzim Bashës në krye të Bashkisë nuk është vetëm një rrekje e kryeqytetit për të provuar një shans të ri, një qeverisje të ndryshme. Por, njëkohësisht, është edhe një ndëshkim. Një leksion për politikanët narcizistë që u pëlqen dhe dashurojnë vetëm veten e tyre, duke i lënë qytetarët thjesht si një pasqyrë nga ku kundrojnë veten me mandate të tëra.
Leksion gjithashtu për ata udhëheqës që vuajnë nga doza të rënda të delirit, ku në botën e tyre virtuale të madhështisë ngrenë kultin e të pamposhturit, që fiton mbi të gjithë, dhe mbi vetë tendencën e kohës.
Leksion për ata politikanë që e ushtrojnë mandatin e tyre me një grup të vogël njerëzish duke e kthyer zyrën publike në një sekt ku mblidhen vetëm të besuarit për të ndarë të korrat e stinës.
Kjo ishte sfida më e fortë politike e Lulzim Bashës. Por, një tjetër edhe më e vështirë sapo ka nisur për të. Tirana i ka gjithë cilësitë për të qenë një juri hijerëndë dhe e rreptë. Kryetari i ri i Bashkisë duhet të tregojë se fushata dhe premtimet e tij për një model të ri të administrimit të qytetit, nuk ishin një marifet, një grackë për vota, por bash ajo çka do të jetësohet që në ditët e para të punës.
Gazeta “Panorama”