E diel, 10 korrik 2011, NOA - Nisma e Partisë Socialiste, e cila i është bashkëngjitur asaj të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjon Jagland dhe Komisionit Europian, për një opinion të specializuar të Komisionit të Venecias për zgjedhjet në Tiranë dhe legjitimitetin e rezultatit të dalë nga vota e 8 majit, nuk do të ketë asnjë efekt ligjor mbi vendimin e marrë nga Kolegji Zgjedhor, që la në fuqi fitoren e Lulzim Bashës me 93 vota ndaj Edi Ramës.
Kjo pasi Komisioni i Venecias është një organizëm këshillues për çështjet kushtetuese të Këshillit të Europës dhe jo një institucion diktues, që mund të anullojë vendimet e gjykatave të vendeve të tjera.
Ky komision luan një rol të rëndësishëm në adaptimin e kushtetutave të ndryshme me trashëgiminë kushtetuese europiane.
Roli i këtij organizmi për procesin zgjedhor është hartimi i opinioneve mbi draftet legjislacionit elektoral.
Ky Komision ka luajtur një rol të rëndësishëm për kodin elektoral në Shqipëri dhe pritet ta zhvillojë atë edhe në periudhën në vazhdim.
Por, kontributi i tij ndalet te përmirësimi i legjislacionit dhe jo rrëzimi i vendimeve të gjykatave të një shteti.
Përveç Komisionit të Venecias, Partia Socialiste mund t’i drejtohet edhe Gjykatës së Strasburgut, apo edhe asaj të të Drejtave të Njeriut në Hagë.
Gjykata e Strasburgut, në rastin e ekzaminimit të një ankese nuk anullon juridikisht vendimin e gjykatës së vendit përkatës, por shprehet mbi faktin nëse ka patur shkelje apo jo, dhe nëse vendimi ishte i ligjshëm apo jo.
Në disa raste kjo gjykatë fikson një dëmshpërblim të caktuar për palën e dëmtuar.
Ndërsa, Gjykata e të Drejtave të Njeriut shprehet mbi ligjshmërinë apo jo, të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, pas një procesi që zgjat zakonisht jo më pak se 2 vjet.
Ndërkohë, në rastin në fjalë, çështja ligjore e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës u end për afro dy muaj në dyert e Kolegjit Zgjedhor.
Sa i përket Gjykatës së Luksemburgut, edhe kjo pistë bie, pasi ajo nuk mund të shprehet mbi këtë çështje, pasi Shqipëria nuk është shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Parë në këtë këndvështrim, pavarësisht opinionit këshillues që do të japë Komisioni i Venecias, mandati i kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës do të nisë sapo ai të marrë miratimin e Këshillit Bashkiak.
mit/NOA