Nga Edmond Tupja
…Kështu foli Zarathustra, më falni, kështu foli pardje i shfronësuari Edi Rama, pas shpalljes botërisht të vendimit të Kolegjit Zgjedhor që, duke hedhur poshtë ankesën e fundit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, e kurorëzoi Lulzim Bashën si kryetar të Bashkisë së Tiranës. Po, pardje, kështu foli Zaraedthustrama (I kërkoj ndjesë filozofit Niçe për këtë lojë fjalësh të frymëzuar nga titulli i njërës prej veprave të tij). Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që kjo shkrirje apo përngjitje emrash nën penën time, e ka, deri diku, një arsye. Zarathustra ka qenë një profet dhe reformator fetar iranian i shekullit VI para erës së re; i shfronësuari Edi Rama është një “profet” dhe “reformator” socialist shqiptar i shekullit XXI të erës së re. Profet e reformator në thonjëza, sigurisht, sepse ka kohë që profetët janë zhdukur si racë, kurse reformatorë gjen sa të hanë, të ngopen, të veliten e të vjellin veresie qentë e mbarë rruzullit tokësor, përfshirë edhe bulldogun e kolegut e mikut tim Françesk Armadhi. Doktrina e Zarathustrës, e cila u përhap pak nga pak, paraqitet si një pastrim i fesë së dikurshme iraniane; si pastrim e nisi edhe i shfronësuari Edi Rama “doktrinën” e tij tek u hodh në sulm për të marrë nën drejtimin e vet Partinë Socialiste de Fatos Nanos. Por, ndërsa doktrina e Zarathustrës karakterizohet nga vetëdija e lartë përballë së Mirës e së Keqes, nga koncepti i zgjedhjes morale dhe nga lartësimi i engjëjve në luftë me djajtë, “doktrina” e të shfronësuarit Edi Rama, mjerisht, i ngatërron të gjitha këto nocione duke bërë një çorbë ku e Keqja del mbi të Mirën (ose e komprometon a e korrupton atë), duke u mbështetur në konceptin e zgjedhjes imorale dhe tek aleanca me djajtë kundër engjëjve (kur këta nuk çiftohen me djajtë, sigurisht).
Por le të kthehemi te titulli i këtij shkrimi. Po, kështu u shpreh i shfronësuari Edi Rama në deklaratën e tij pas vendimit të lartpërmendur të Kolegjit Zgjedhor: Partia Socialiste do të organizojë “një aksion të madh popullor” për të ringjallur drejtësinë shqiptare. Fjala-kyç e kësaj ideje më duket se është emri “aksion” në gjirin e togfjalëshit “një aksion të madh popullor”. Kur e dëgjova këtë fjali nga goja e tij inatçore e mllefqare, befas, pata një si kthim prapa në kohë, në kohën e qepës moniste, prandaj nxitova të hapja “Fjalorin e gjuhës [së atëhershme] shqipe”, botim i vitit 1980, pikërisht te fjala-kyç “aksion”. Dhe, pikërisht në faqen 19 të tij, rizbulova zanafillën e mendësisë e të stilit të të shfronësuarit Edi Ramës tek ajo kohë, tek ai sistem, tek ajo ideologji, mendësi e stil që pasqyrohen jo vetëm në veprimet, por edhe në frazeologjinë e ligjëratave të tij; e rizbulova pikërisht te kuptimi i tretë i asaj fjale, më i gjati, më kompleksi, më domethënësi: “AKSION [...] 3. Veprimtari e gjallë, me pjesëmarrjen e masave punonjëse, për të kryer në mënyrë luftarake e me frymë revolucionare, brenda një kohe të shkurtër, një detyrë të rëndësishme politike, shoqërore ose ekonomike; vepër e ndërtimit socialist, që kryhet me pjesëmarrjen vullnetare të masave të gjera punonjëse. Aksion politik (ideologjik, artistik, sportiv…). Aksion kombëtar (popullor) [...]” etj. etj. Lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike të përjavshme, i cili ende nuk e ka harruar kohën e diktaturës së Partisë së Punës (Si për çudi, fjala “punë” rimoka me fjalën “dhunë”!), mund ta konstatojë vetë ngjashmërinë e frikshme të këtij përkufizimi të fjalës “aksion” me përkufizimin e po kësaj fjale në fjalorin mendor e gojor të të shfronësuarit Edi Rama: “AKSION [...] 3. Veprimtari e dhunshme, me pjesëmarrjen e masave militante ramoide, për të kryer në mënyrë luftarake e me frymë revolucionare, brenda një kohe të shkurtër, një detyrë të rëndësishme partiake, shoqërore ose ekonomike; vepër e ndërtimit socialramist, që kryhet me pjesëmarrjen e detyruar të masave militante ramoide. Aksion socialpolitik (si ai i 21 janarit). Aksion kombëtar (popullor) [...]” etj. etj. Mjafton gjithashtu që ky lexues t’i shtojë këtij përkufizimi edhe shprehjen “aksion me goditje të përqendruar” (shih, në të njëjtin fjalor, tek e njëjta faqe, po te fjala “aksion”), shprehje e përdorur rëndom në kohën e qepës moniste, për të arritur në përfundimin se “aksioni i madh popullor” që propozon i shfronësuari Edi Rama nuk i premton popullit shqiptar, përfshirë edhe popullin opozitar, siç e quan ai, veçse dhunë, destabilizim, pasiguri, frikësim, ankth e stres.
Gazeta “Panorama”. Titulli i autorit “Aksion i madh popullor…”