English

Kolegj Zgjedhor si konfirmim i autokratizmit

Nga Andrea Stefani

Edhe 100 herë ta dërgonte PS çështjen e rezultatit të Tiranës në Kolegjin Zgjedhor edhe 100 herë të tjera ai kolegj do të merrte vendim në disfavor të opozitës. Kush ka pasur shpresa se mund të ndodhte ndryshe, do të thotë se nuk ka kuptuar, ose nuk ka dashur t’i besojë, alarmet e ngritura kohë pas kohe mbi kapjen e institucioneve të shtetit nga pushteti berishist. Dhe është në natyrën e institucioneve të kapura që të veprojnë në përputhje me interesat e pushtetit dhe jo siç e lyp e drejta. Sepse institucionet e kapura kanë një natyrë robotike. Ato veprojnë sipas urdhrave që marrin. Ky është edhe rasti jo vetëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por edhe i Kolegjit Zgjedhor që sapo i vuri vulën “ligjore” të gjithë manipulimit të turpshëm të procesit zgjedhor në Bashkinë e Tiranës. Dhe e keqja nuk është se Edi Rama nuk do të jetë më kreu i Bashkisë së Tiranës. As fakti që Berisha do ta përdorë këtë manipulim për t’i dhënë fund kundërshtarit të tij më të qëndrueshëm deri më sot. E keqja është më e thellë, më strategjike. Vendimi i Kolegjit është prova më e qartë se vendin e projektit të “shtetit të së drejtës” e ka zënë një projekt që synon të përdorë institucionet e së drejtës si gjethe fiku të autokratizmit. Tashmë është krijuar ai sistem i mbyllur, ku veprime të paligjshme të qeverisë shpallen të ligjshme. Për të ardhur te më e frikshmja që sapo ka ndodhur, që grabitja e vullnetit të sovranit me anë të manipulimeve të votave të shpallet si respektim i vullnetit të sovranit. Drejtësia e kapur sapo ka shkatërruar institucionin e votës së lirë, që është themeli i demokracisë.

* * *

Gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor nuk u kanë mjaftuar provat e shumta të ofruara nga opozita për parregullsitë e procesit zgjedhor në Tiranë. Nuk u kanë mjaftuar as tabelat që tregonin qartë se numri i fletëve të votimit ishte më i madh se numri i votuesve realë. Nuk u ka mjaftuar as padrejtësia e hapur e mosshpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ më 14 maj. Nuk u ka mjaftuar as denoncimi nga ODIHR-i i faktit se rinumërimi për t’i konsideruar votat në kuti të gabuara nga të pavlefshme në të vlefshme u bë mbi një bazë ligjore të paqartë. Nuk u kanë mjaftuar edhe shumë prova të tjera që denoncojnë parregullsi deri edhe në manipulim për të arritur drejtësinë, misionin për të cilin edhe është krijuar ky Kolegj. Por nuk kishte si të arrinte te drejtësia edhe sikur provat kundër pushtetit berishist, të sprovuar tashmë në manipulimin e zgjedhjeve, të qenë qindfish më të shumta. Sepse që të mund të arrish te drejtësia duhet të kesh arsye. Dhe arsyeja nuk është një ndriçim që i vjen dikujt (institucioni apo individi) nga akumulimi i dijeve të shumta. Mund të jesh një magazinë njohurish e megjithatë të të mungojë arsyeja. Sepse arsyeja është mbi të gjitha liri. Është mendimi, thotë Hegel, që e përkufizon veten me liri perfekte. Institucionet e kapura nuk janë të lira dhe si të tilla nuk kanë arsye të vetën që duhet të jetë arsyeja e sovranit, liria dhe vullneti i tij i mpiksur në Kushtetutën e vendit. Ndaj Kolegji Zgjedhor nuk është i lirë t’ia dijë për faktin se KQZ ka shkelur jo vetëm barazinë e konkurrimit duke ndryshuar rregullat e lojës në fund të procesit të numërimit, por edhe parimin kushtetues një njeri, një votë. Institucione të kapura si KQZ dhe Kolegji janë transformuar nga qen rojë të lirisë qytetare në bulldogë të autokratizmit berishist.

* * *

Tragjikomedia është se tashmë që Kolegji e dha verdiktin, do të dëgjojmë jo vetëm propagandën e pushtetit, por edhe disa zëra të ndërkombëtarëve (i pari ishte dje Wolfarth, ambasadori i OSBE) të predikojnë respektimin e vendimit të gjykatës, respektimin e institucioneve të pavarura, respektimin e shtetit “ligjor”. Pra, do të dëgjojmë t’i kërkohet opozitës të respektojë atë që në fakt nuk ekziston, shtetin ligjor, pra atë që autokratizmi e ka vrarë dhe që është në misionin e një opozite ta sjellë në jetë duke kundërshtuar vendimet e padrejta të institucioneve të kapura. Por që të bëjë këtë me sukses opozita, dhe në radhë të parë PS, duhet të pranojnë edhe një numër gabimesh të rënda që e sollën vendin në situatën që është sot. Duhet të pranojë publikisht dhe të distancohet nga amendimet e Kushtetutës së Republikës të kryera në bashkëpëlqim me Berishën më 21 prill 2008. Sepse ato amendime janë thuajse themeli i një sistemi që tenton të sakrifikojë demokracinë dhe lirinë në Shqipëri në emër të një stabiliteti autokratik. Dhe, për të ardhur te çështja që po diskutojmë sot, janë ato amendime që toleruan krijimin e një KQZ-je thellësisht partiake, janë ato amendime, si dhe reforma zgjedhore e zhvilluar bashkë me to, që toleruan që vendimet e Kolegjit Zgjedhor të jenë përfundimtare pa mundësi ankimimi kurrkund. Një situatë që ia ka lehtësuar shumë një autokrati si Berisha kapjen e zgjedhjeve. Opozita duhet të distancohet urgjentisht nga ato amendime edhe për faktin se e keqja me të cilën ato janë mbarsur nuk është shpalosur plotësisht. Në horizont po shfaqen çështjet e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe të kryeprokurorit. Dy institucione të cilat Berisha do të luftojë fort t’i fusë në dorë, sepse pa ato kapja e shtetit nuk do të jetë kurrë e plotë. Dhe nëse opozita arrin të korrektojë vetveten duke u shfaqur si e kundërta e autokratizmit berishist, nëse arrin të ndalë dorën despotike të pushtetit të kapë edhe atë që ka mbetur nga shteti, ka shumë të ngjarë që “humbja” e Tiranës sot, të jetë prologu i fitores së Shqipërisë nesër.

Gazeta “Shqip”

KOMENTE