English

Më shumë se 2 mijë emigrantë libianë mikpriten në Lampeduza

Lampeduza, 10 korrik 2011, NOA – Me mbërritjen edhe të 299 emigrantëve të tjerë mëngjesin e sotëm arrin në 2053 numri i emigrantëve libianë të mikpritur në ishullin italian të Lampeduzës.

Emigrantët e rinj janë dislokuar pranë bazës së pritjes, Loran.

Siç bën me dije agjencia italiane ANSA, mes emigrantëve numërohen 1363 burra, 176 gra dhe 514 fëmijë.

Agjencia italiane njofton se dy gra shtatzëna u transportuan sot në spitalin e urgjencës në Palermo.

Ndërkohë mësohet se është ankoruar në port anija që do t’i dërgojë emigrantët libianë në qendra të tjera jashtë ishullit Lampeduza.

Sipas ANSA-s transferimet e para nisin mbrëmjen e të dielës dhe mëngjesin e të hënës.

Në orët e para të mëngjesit barka e vogël me 299 emigrantët afrikanë në bord mori flakë për shkak të avarive në motorr, por për fat u vu re në kohë nga rojet bregdetare të ishullit.

Ekuipazhi i anijes së patrullimit Cp 301 arriti të vërë nën kontroll flakët e të vërë në punë motorrin duke shmangur një tragjedi të 299 të ikurve nga Libia, mes të cilëve 13 gra dhe një fëmijë.

Zbarkimi i emigrantëve të sotëm u krye rreth orës 5.30 të mëngjesit në portin e ishullit të Lampeduzës.

Ndërkohë, dje kryeministri italian Silvio Berluskoni anulloi vizitën që do të kryente në ishullin Lampeduza.

mit/NOA

KOMENTE