Tiranë, 10 korrik 2011, NOA- Edhe të hënën i gjithë vendi do të karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike pasi kthjellimet do të jenë dominuese në pjesën më të madhe të territorit përjashtuar zonat malore veriore dhe verilindore të cilat do të kenë vranësira.
Sipas MeteoAlb, edhe pasditja do të vijojë me mot të kthjellët në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa zonat malore do të mbeten me vranësira të dendura sidomos në verilindje dhe juglindje të Shqipërisë, ku parashikohet të ketë shira të izoluar. Gjatë natës vranësirat dhe shirat e dobët do të largohen nga zonat malore duke rikthyer motin e kthjellët në të gjithë vendin.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në të dy vlerat ekstremale.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 20 km/h dhe drejtim jugperëndimor ndërsa dallgëzimi në brigjet e detit Jon dhe Adriatik do të arrijë deri në 2 ballë.
Europa
Europa veriore dhe Veriperëndimore do të mbetet me kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe shirat do të dominojnë në këto vende. Shira më të dendur do të bien në Skandinavi dhe Ishujt Britanike. Gjithashtu me vranësira dhe shira do të dominohet Europa Qendrore dhe zona e Alpeve ku shirat do të shoqërohen me stuhi të forta ere. Vranësira, reshje shiu dhe stuhi ere do të ketë dhe në një pjesë të Europes jugperëndimore ku problematik do të paraqitet dallgëzimi i lartë në det, ndërsa gadishulli i Ballkanit si edhe Europa Lindore do të karakterizohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt Britanike do të mbeten me shira intensiv
- Zona e Alpeve rrezikohet nga vranësira dhe shira
- Ballkani alarmon për temperatura të larta
a.y/NOA