English

Policia flet për plumbat në Sarandë: Konflikti i pronësisë plagosi 2 pastrueset

Sarandë, 10 korrik 2011, NOA- (Update) Lidhur me plagosjen e dy grave në Sarandë gjatë paradites së sotme policia ka zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Burime zyrtare nga policia e Sarandës thonë për agjencinë e lajmeve NOA, se shkak për plagosjen ka qenë një sherr pronësie mes tre personave.

Sipas po të njëjtit burim mësohet se dy të plagosurat janë Ëngjëllushe Mata, 55vjeç dhe Lefteri Ahmeti po 55 vjeç nga Saranda, të dyja punonjëse të firmës së pastrimit të qytetit.

Të shtënat me armë të tipit automatik Kallashnikov, kanë dalë nga papafingua e banesës së Artan Myrtaj, të cilat kanë pasur si objektiv Sinan Matën dhe Kosta Thanasin, për konflikte pronësie mes tyre.

Mësohet se konflikti i pronësisë ka ardhur si rezultat i shtimit të një kati në mënyrë të paligjshme nga Sinan Mata dhe Kosta Thanasi në banesën në ndërtim i cili sipas pretendimeve te shtetasit Artan Myrtaj pengon fushëpamjen.

Ndërkaq ky debat mes dy palëve ishte përballur më herët në polici, pasi shtimi i katit pa leje kishte bërë që të pezulloheshin punimet e ndërtesës dy herë rresht, por që Mata dhe Thanasi e kishin thyer urdhrin duke rinisur sërish ndërtimin.

Ka qenë pikërisht kjo mosbindje as ndaj fqinjit dhe as ndaj Përmbarimit Gjyqësor, shkaku që ka revoltuar Artan Myrtajn, i cili e ka kërkuar zgjidhjen me breshëri automatiku.

Mirëpo ndërsa objektivi i tij shpëtoi paq, u plagosën dy punonjëset e pastrimit, të cilat u dërguan menjëherë në drejtim të spitalit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën dhe se pas kurimit ato janë dërguar për në shtëpi.

Sakaq ndonëse Myrtaj është i dyshuari kryesor i ngjarjes, nga ana e policisë së qytetit bregdetar nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe për vënien para përgjegjësisë të autorit apo autorëve.

a.y/NOA

KOMENTE