Dubrovnik, 10 korrik 2011, NOA- Gjatë kthimit nga Dubrovniku, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është ndalur në një darkë pune me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Gjatë këtij takimi mes dy homologëve është diskutuar lidhur me axhendën evropiane të dy vendeve, duke veçuar plotësimin e kushteve për ti përshpejtuar këto hapa.
Sakaq ndër të tjera në bisedën mes kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Thaçi u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimeve në projekte dhe hapa të ndryshëm ekonomiko-sociale, duke theksuar se një gjë e tillë do të çonte në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy vendeve.
Kryeministrat e dy vendeve ishin në Dubrovnik, ku morën pjesë në Samitin e Kroacisë, ku ishin të pranishëm edhe homologët e tjerë të vendeve të rajonit.
Ndër të tjera po gjatë kthimit nga Dubrovniku kryeministri Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me ish-kryeministrin dhe liderin e Partisë Demokratike Socialiste të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në Budvë të Malit të Zi, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin fqinjësor të dy vendeve dhe për zhvillimet në rajon. Në këtë takim të kryeministrit Thaçi me ish-kryeministrin malazez Gjukanoviç, është vlerësuar lartë bashkëpunimi në mes të dy vendeve dhe është shprehur gatishmëria vazhdimit të bashkëpunimit të mirë ndër-fqinjësorë.
a.y/NOA