English

Thyerja e dhëmbëve dhe koncepteve

Nga Bardh Frangu

Thuhet se gjuha është prej tuli, por që eshtra thyen. Edhe deputeti i “Vetëvendosjes” Florin Krasniqi, me gjuhë ia theu dhëmbët kryeministrit të Republikës së Kosovës! Në fakt Krasniqi, si përfaqësues i popullit, dëshmoi se njerëzit këtu janë mbi ligjin. Ai e tha fare thjeshtë dhe me bindje të plotë se kryeministrin mund ta lë pa dhëmbë, por çështja është se si deputet, përkatësisht si pjesë e legjislacionit, nuk ka kuptim të mos e respektoj ligjin. Për më keq këto fjalë Krasniqi i shqiptoi mu para dyerve të Gjykatës Komunale të Prishtinës.

Me dilemat mes Kanunit dhe Ligjit, siç jeton edhe shumica e kosovarëve, Krasniqi dëshmoi se në këtë vend është shumë zor të ndërtohet një sistem funksional drejtësie, i barabartë dhe i respektueshëm nga të gjithë. Krasniqi dëshmoi edhe një gjë tjetër, faktin se si e drejta lehtësisht bartet tek kundërshtari. Në këtë rast e drejta kaloi në anën e kryeministrit, i cili e shfrytëzoi për mrekulli këtë shllagvort të deputetit Krasniqi, duke dalë në opinion me buzëqeshje mbi dhëmbët e paprekur, për të drejtuar gishtin nga një pjesë e opozitës si e papërgjegjshme.

Deklarimi kërcënues i Krasniqit u bë top lajm në mediet kosovare. Ndoshta ky edhe ishte qëllimi i deputetit Krasniqi, i cili fare nuk është i vetëdijshëm se deliktet verbale, ku bëjnë pjesë fyerjet, të pavërtetat dhe insinuatat, nuk kanë efekt tjetër pos për t’i ngarkuar gjykatat tona edhe ashtu të stërngarkuara, në emër të një morali plotësisht të rrejshëm. Shpresojmë të mos merret modeli i shtetit shqiptar për këtë gjë se drejtësisë edhe më do t’i zihet fryma.

Ka harruar deputeti Krasniqi që bën ligje se shkaku i mosfunksionimit të gjykatave dhe lëndëve të grumbulluara nëpër to, ne jemi dëshmitarë të vrasjeve dhe pasojave tjera që kanë njerëzit, duke mos gjetur formë tjetër për zgjidhjen e konteksteve të ndryshme. Krasniqi, (por edhe të tjerët si ai) që përfaqëson vullnetin e popullit dhe si i tillë ka marrë obligime për zgjidhjen e halleve të tyre, është dashur të angazhohet për një funksionalizim të sistemit të drejtësisë dhe një fokusim të saj pikërisht në këto lëndë që paraqesin rrezik të shkallës së lartë për jetën e njeriut, e jo të sillet si ish deputeti Gani Geci, i cili para gjykatës deklaron se të paditurin e tij e ka mik! Në këto raste i bie sikur të kërkojmë të luajmë symbyllas nëpër gjykatat, ku lehtësisht mund të fshihesh nëpër stoqet e lëndëve të pazgjidhura.

Po deputeti ynë, sikundër edhe shumica e kolegëve të tij, beson shumë se ligjet i ka bërë për vete e jo për ndërtimin e një sistemi të drejtësisë, ku të gjithë qytetarët do të ishin të barabartë para ligjit. Unë personalisht kam një kontest gjyqësor, të cilin sigurisht që zor do të mund ta zgjidhi as deri në kohën kur shkaku i moshës vetë do të mund t’i bien dhëmbët kryeministrit.

Po në fakt Krasniqi është vetëm njëri nga deputetët e shumtë të Parlamentit të Kosovës, të cilët sillen si bajraktarë, në emër të përfaqësimit të regjioneve të tyre. Kjo për faktin se përfaqësimi regjional duket ashiqare të ketë kuptim përtej përfaqësimit partiak. Kjo mbase edhe është prodhim i një sistemi zgjedhor, i cili Kosovën e ka tkurrur në një zonë zgjedhore dhe ka bërë që në vend të një konkurrence vlerash të kemi një favorizim të militantëve partiakë.

Sjelljet e tilla të deputetëve (shprehje të ngjashme si këto kemi dëgjuar edhe nga të tjerët) i kanë dhënë një imazh të keq Parlamentit të Republikës së Kosovës. Kryeparlementari Krasniqi në një rast u shpreh duke thënë se Parlamenti është shndërruar në një thes të lypësit. Dhe kishte të drejtë, sepse thesi i lypësit mbushet me gjithçka. Vërtet gjithçka ka në këtë Parlament, por më së paku ka një pamje të njerëzve të zgjedhur që janë ulur aty për ta ndërtuar shtetin e ri të Kosovës. Aq të papërgjegjshëm janë këta deputetët tanë sa nuk marrin mundin të bëjnë edhe një kuorum të thjeshtë, së paku sa për t’i votuar ato ligje kaq të nevojshme për shtetin e ri të Kosovës. Deputetët tanë mund t’i shohësh të angazhuar vetëm kur janë në pyetje privilegjet e tyre, të cilat edhe ashtu janë të shumta.

Po ajo që bëri kolegu i Krasniqit, Konjufca, ishte vetëm një dëshmi më shumë se me kërcënimin e bërë nga Krasniqi, kishte fituar kryeministri, i cili me automatizëm tash do të jetë edhe më i mbrojtur nga punëtorë të sigurimit. Konjufca, i vetëdijshëm se kolegu i tij i kishte shkaktuar dëm partisë, edhe ashtu të identifikuar me një gjuhë populliste, provoi që ta zbuste këtë, duke zëvendësuar thyerjen e dhëmbëve me thyerjen e koncepteve të kryeministrit. Konjufca nuk tha se cilat janë këto koncepte, por opinioni e ka të qartë se kryeministri ka një koncept për shtetin e pavarur të Kosovës, ndërsa partia e Konjufcës ka konceptin për bashkimin kombëtar. Bazuar në këtë del se më lehtë është t’i thyhen dhëmbët kryeministrit, sesa t’i thyhen këto koncepte për shtetin. Në këtë kuptim Konjufca nuk bëri ndonjë përmirësim të gabimit të Krasniqit. Mbase edhe nga reagimi i tij kryeministri mund të krijojë favore. Prandaj konstatimi i thënë edhe më herët se keq e kemi me pozitën dhe keq me opozitën po dëshmohet gjithnjë më shumë. Vërtet është dëm për zhvillimet demokratike kur opozita në vend të golave shënon autogola.

KOMENTE