Tiranë, 11 korrik 2011, NOA – Ndërkohë që lideri i opozitës kundërshtoi vendimin e Kolegjit duke e cilësuar 8 korrikun, ditën e verdiktit final të odisesë për kreun e bashkisë së Tiranës, si ditën kur drejtësia vdiq, kreu i mazhorancës Sali Berisha e ftoi sot kryetarin e opozitës Edi Rama të nisin sa më parë punën për reformën zgjedhore.
Shefi i qeverisë e përgëzoi Edi Ramën për rrugën ligjore që ndoqi edhe për kërkesën e dërguar në Komisionin e Venecias, duke theksuar se është në interesin e tij më të mirë, por edhe të vendit, që bashkërisht me mazhorancën qeverisëse të nisin sa më parë reformën zgjedhore.
“Ftoj Edi Ramën të shqyrtojmë bashkërisht ligjet që kërkojnë tre të pestat e votave në parlament dhe mbetemi të hapur për çdo amendament që PS do paraqesë për reformën zgjedhore”, deklaroi kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Lideri i PD-së çmoi potencialet e Partisë Socialiste, për të mos përdorur vetëm bllokimin e votimit për të arritur synimet e saj në politikë.
“Mendoj se PS i ka potencialet për të dhënë kontributin që i takon për të mos përdorur bllokimin, por votimin, dhe jam i bindur se ky është interesi i saj dhe i vendit. I garantoj qytetarët se qeveria mbetet e vendosur në zbatimin e ligjit dhe kushtetutës si kusht themelor për garantimin e të drejtave të qytetarëve shqiptarë”, theksoi kryeministri Berisha.
E ndërsa kreu i ri i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është pranë mandatimit të tij për katër vitet e ardhshme në krye të bashkisë, Berisha tha se “Ora e kryeqytetit duhet të nisë të rrahë sa më shpejt, dhe tik-tak-u i saj duhet të ndjekë sa më shpejt tik-tak-un e orës europiane”.
Këtu, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve shqiptarë, atyre që votuan pro dhe kundër koalicionit qeverisës.
“Qytetarët shqiptarët morën pjesë në këto zgjedhje më shumë se në çdo garë elektorale nga viti 1992 deri më sot dhe kjo është arritje madhore, dëshmi e pakundërshtueshme e besimit të ri ndaj vendit, për të cilin vendi ka nevojë, “siç ka zogu për ajrin për të fluturuar”, cilësoi zoti Berisha.
“Ishin qytetarët shqiptarë, nga qendra e Tiranës në të katër anët e vendit, ata që udhëhoqën fushatën më të bukur në vend, ata që ndikuan fitoren më të thellë të 8 majit.
Në 8 maj kryetarët e bashkive dhe komunave u votëbësuan me 17 përqind më shumë në koalicionin qeverisës, sepse ky koalicion ka bërë përpjekje të paprecedentë, që në çdo qoshe të ndihet mbështetja e qeverisë”, argumentoi fitoren kryeministri.
Ai renditi këtu transformimet e mëdha infrastrukturore, mijëra kilometra rrugë të reja, të cilat ishin arsyet për votëbesimin që populli i dha koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Berisha vijoi duke thënë se projektet e qeverisë nuk janë fjalë, por vepra.
“Sot 98 përqind e shqiptarëve kanë ujë të rrjedhshëm, sot Shqipëria është një vend turistik, infrastruktura rrugore në bregdet është nga më modernet, është dhjetëfishuar numri i turistëve”, tha kryeministri duke e përligjur fitoren e 8 majit edhe me arritjet e mëdha ekonomike të qeverisë së tij, si rritjen e të ardhurave për pensionistët, rritjen e rrogave minimale e të mesme.
“Këto janë arritje konkrete për çdo qytetar shqiptar, modeli ekonomik ia doli që Shqipëria të ecë ekonomikisht pikërisht në kushtet e një krize ekonomike që ka kapur Europën”, vlerësoi kryeministri.
mit/NOA