Tiranë, 11 korrik 2011 NOA - Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi u tërhoq për të marrë vendim lidhur me kërkesat paraprake të paraqitura në seancën gjyqësore të datës 20 Qershor 2011,nga mbrojtësit e të pandehurit Ilir Meta,
V e n d o s i:
1. Rrëzimin e kërkesës paraprake për pushimin e gjykimit të procedimit penal nr.1 të vitit 2011 të Prokurorisë së Përgjithshme për shkak se ndjekja penale nuk duhet të fillonte, me arsyetimin se, nuk rezulton që nga momenti i rregjistrimit të këtij procedimi nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, pra nga data 24.01.2011, të jenë kryer veprime që nuk lejohen sipas dispozitave proceduriale penale në ngarkim të personit me imunitet.
2. Rrëzimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të veprimeve hetimore të kryera dhe provave të marra pas datës 12.04.2011 deri në datën 09.05.2011, si të kryera jashtë afateve proceduriale,me arsyetimin se, afati i zhvillimit të hetimeve paraprake ndaj të pandehurit Ilir Meta ka filluar në datën 09.02.2011 kur emri i tij është rregjistruar në rregjistrin e njoftimit të veprës penale në cilësinë e personit që i atribuohet vepra penale sikurse parashikon pika 1 e nenit 323 të Kodit të Procedurës Penale, ndërkohë që, edhe çështja në Gjykatën e Lartë është dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në datën 09.05.2011, pra brenda afatit tremujor të parashikuar nga dispozita e sipërcituar, krahas ditëve që afati i hetimit paraprak është i pezulluar për shkak të kërkesës për autorizim për procedim sipas pikës 2 të nenit 323 të këtij Kodi.
3. Pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë, përkatësisht të akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar Adrian Philips, me arsyetimin se caktimi i ekspertëve dhe veprimet e mëvonshme lidhur me marrjen e aktit të ekspertimit është kryer në shkelje të neneve 151 pika 4, 183 pika 1 dhe 509 të Kodit të Procedurës Penale.
4. Rrëzimin e kërkesës paraprake për papërdorshmërinë e videorregjistrimit të realizuar nga shtetasi Dritan Prifti sepse është bërë në shkelje të nenit 221 e vijues të Kodit të Procedurës Penale mbi “Përgjimet”, me arsyetimin se, videorregjistrimet e realizuara jo nga organet e procedimit por nga subjektet private nuk përfshihen në rastet dhe kriteret që përmbahen në Titullin IV Kreu III Seksioni IV “Përgjimet” (nenet 221 e vijues) të Kodit të Procedurës Penale.
5. Lidhur me kërkesën paraprake përsa i përket papërdorshmërisë së provave materiale, duke filluar nga ora audio e video rregjistruese me të cilën pretendohet se është bërë rregjistrimi, si dhe mjetet e tjera teknike të transferimit e riprodhimit të rregjistrimit, duke vijuar me disqet elektronike ku përmbahen të dhënat e rregjistrimit, për shkak se sipas mbrojtjes mungon prova origjinale e bisedës në vetë orën rregjistruese, Kolegji Penal çmon se, në kuptim e zbatim të dispozitave proceduriale, në këtë moment të procedimit, nuk mund të japë qëndrimin e tij dhe as të disponojë për pranimin apo rrëzimin e kërkesës, pra për papërdorshmërinë ose jo të këtyre provave.
Nga vetë përmbajtja e kësaj kërkese paraprake, pretendohet se ajo mbështetet në konkluzionet shkencore të arritura me aktet e ekspertimit teknik të realizuara nga ana e organit të prokurorisë në fazën e hetimit paraprak, sipas të cilave, videorregjistrimi nuk gjendej në orën audio e video rregjistruese.
Por, ky Kolegj Penal, në përgjigje edhe të vetë kërkesës paraprake të paraqitur nga mbrojtësit e të pandehurit Ilir Meta, u shpreh e disponoj më lart për pranimin e saj lidhur me pavlefshmërinë e akteve proceduriale të caktimit të ekspertit dhe për papërdorshmërinë e akteve të ekspertimit të realizuara prej tyre.
Në rrethana të tilla, ky Kolegj Penal nuk gjen më në fashikullin e gjykimit asnjë akt ekspertimi që të përmbajë konkluzione shkencore lidhur me natyrën, autenticitetin, mënyrën e përdorimit dhe të dhënat që përmbajnë apo mund të përmbajnë provat materiale që mbrojtja pretendon e kërkon se janë të papërdorshme sepse mungon prova “origjinale”. Për të ardhur në përfundime objektive e të bazuara në ligj lidhur me të dhënat që përmbajnë provat materiale si ora audio e video rregjistruese etj. dhe origjinalitetin e tyre, nevojiten njohuri të posaçme teknike e shkencore të fushës së mjeteve dhe të dhënave dixhitale si dhe marrja e mendimit përkatës të kualifikuar, cilësi këto që nuk i përmban dhe nuk janë në natyrën dhe misionin e një gjykate.
6. Së fundi, Kolegji Penal vendosi të rrëzojë kërkesën paraprake të mbrojtjes së të pandehurit Ilir Meta përsa i përket papërdorshmërisë së deklarimeve të shtetasit Dritan Prifti me pretendimin se është person i akuzuar në një procedim të lidhur, me arsyetimin se, nga të dhënat që përmbahen në fashikullin e gjykimit nuk jemi përpara rasteve të parashikuara nga neni 156/2 i Kodit të Procedurës Penale.