Tiranë, 11 korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen për shpërndarjen e mandateve për këshillin bashkiak të Tiranës. Kryetari Arben Ristani, në fillim të mbledhjes tha se gara zgjedhore ishte e vështirë dhe kandidatët u ndanë në numër të vogël votash.
“ I mbijetuam me profesionalizëm një procesi të vështirë. Përshëndes Kolegjin Zgjedhor për fundin e procesit, ndërkohë që u tregua një transparencë e shkëlqyer. Me këto zgjedhje u tregua se shteti ligjor funksion me të gjithë kapacitetin e tij”, deklaroi Ristani.
Por, përfaqesuesit e Partisë Socialiste në Komision kanë kundërshtuar shpalljen e 55 mandateve duke deklaruar se, sipas tyre, tabela përmbledhëse ka shifra të vendosura në mënyrë alogjike.
“Shpallët një tabelë apriori, ku nuk është shprehur vullneti i qytetarëve. Ju e thatë në fillim se, ndarja mes kandidatëve ishte e vogël. Kur rezultati është i ngushtë demokracia vihet në provë”, ka deklaruar Saliani duke iu drejtuar kryetarit Ristani.
“KQZ u bë pjesë e manipulimit zgjedhor. Sot, vendimmarrja juaj është e fundit. E kryet mirë rolin tuaj në funksion të politikës dhe shkatërrimit të zgjedhjeve”, tha përfaqësuesi ligjor i PS-së.
a.q/NOA