Tiranë, 10 korrik 2011, NOA – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet sot në orën 18.00 për konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës dhe miratimin e 55 mandateve të reja.
Për miratimin e mandateve të këshilltarëve të rinj të bashkisë së Tiranës që dolën nga zgjedhjet administrative të 8 majit kërkohet kuorum i cilësuar votash, pra 5 me 2.
Nisur nga fakti se anëtarët e PS-së në KQZ kanë bojkotuar votimin e disa vendimeve të rëndësishme të KQZ-së sa i përket procesit zgjedhor të 8 majit pritet që miratimi i mandateve për Këshillin Bashkiak të mos marrë kuorumin e duhur të votave gjatë mbledhjes së pasdites.
Sipas Kodit Zgjedhor mosarritja e kuorumit të cilësuar, 5 me 2 mund të pasojë mosmiratimin e 55 mandateve të reja për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit.
E në rast se do të ndodhte kjo, instanca e vetme që i jep zgjidhje problemit është Kolegji Zgjedhor.
Në rast të dështimit të votimit të mandateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej t’i drejtohej me një kërkesë Kolegjit Zgjedhor, që ky i fundit ta urdhërojë KQZ-në të miratojë mandatet e Këshillit Bashkiak me shumicë të thjeshtë, pra vetëm me katër votat e anëtarëve të mazhorancës në KQZ, nga shtatë anëtarët që ka institucioni zgjedhor.
Në varësi të qëndrimit që do të mbajnë sot anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ duket se një kërkesë e re ligjore pritet të përplaset në dyert e Kolegjit Zgjedhor.
Në zgjedhjet administrative të 8 majit, koalicioni qeveritar “Aleanca për Qytetarin” siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundrejt koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”.
“Aleanca për Qytetarin” fitoi 28 këshilltarë, ndërkohë që “Aleanca për të Ardhmen” 27 këshilltarë.
mit/NOA