English

Kryeministri: Zgjedhjet e 8 majit historike, Kolegji leksion politikanëve për shkeljen e afateve ankimore

Tiranë, 11 korrik 2011, NOA – Ndërkohë që beteja ligjore për kryebashkiakun e Tiranës u përmbyll pas verdiktit të Kolegjit Zgjedhor që la në fuqi vendimin e KQZ-së, që shpalli fitues me 93 vota kandidatin demokrat Lulzim Basha, kryeministri Sali Berisha nuk i kurseu lëvdatat për trupin gjykues të Kolegjit Zgjedhor, vendimet e të cilit i cilësoi si historike.

“Këto zgjedhje janë historike, sepse Kolegji Zgjedhor i vendit pasqyroi doktrinën elektorale të Kodit Zgjedhor shqiptar, dhe në një garë të ngushtë si kjo e Tiranës ishin të ligjshme diskutimet dhe kundërshtitë”, deklaroi zoti Berisha në mbledhjen e përjavshme me deputetët demokratë.

Kryeministri tha se Kolegji Zgjedhor i dha një leksion të vërtetë politikanëve shqiptarë që të mos shkelin afatet kohore të ankimimit.

“Unë kam bindjen se ky proces zgjedhor do të regjistrohet në analet e historisë si një nga proceset ku funksionoi shteti ligjor. Pas datës 8 maj, rezultatet në mbarë vendin, përveç Tiranës, në tërësi nuk patën asnjë kundërshti, pasi kryetari i opozitës thuajse çdo ditë paraqiste publikisht fitoret e tij, të zgjedhurit në bashki e komuna”, tha Berisha.

Ai kujtoi se “Në Tiranë gara për kryetarin e bashkisë rezultoi e ngushtë. Qëndrimi ynë ishte kryekëput i bazuar në moralin dhe frymën kushtetuese të ligjeve të vendit”.

Berisha tha se strukturat e koalicionit kërkuan që të identifikohej çdo votë e hedhur në kutitë e tjera, pasi në kodin zgjedhor të vendit ato ishin vota të vlefshme.

“Nuk ka autoritet që ato vota të mund t’i përjashtojë nga numërimi në një vend të lirë e demokratik, vetëm në diktatura çdo gjë dënohet”, nënvizoi kryeministri.

“Ne nuk e dinim se ç’do të kishte në ato kuti, por ishim të vendosur se çdo votë e vlefshme e hedhur gabimisht duhej vlerësuar, pasi në demokraci votat e hedhura gabim janë të vlefshme. Pati qëndrime kundërshtuese nga opozita, por vendosëm me besimin më të madh se në këtë vend demokracia dhe shteti ligjor janë më të forta se çdo interes. Votat u numëruan, kandidati ynë, nga minus 10 vota kaloi në avantazh me 93 vota”, risolli në vëmendje Berisha.

E duke marrë shkas nga përmbyllja e sagës ligjore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, shefi i qeverisë i dha të drejtë vetes që në këtë moment të çmojë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor për vendimet e marra që legjitimuan numërimin dhe vlerësimin e çdo vote të vlefshme, e posaçërisht atyre të hedhura aksidentalisht nga zgjedhësit në kutitë e gabuara të qendrave respektive të votimit.

“Kolegji Zgjedhor ka tetë gjykatës të nderuar në trupën e tij dhe është në nderin e dinjitetin e tij që në dy vendimet e marra të tetë gjykatësit votuan për numërimin dhe legjitimitetin e këtyre votave, që në të vjetrën u paraqitën si diversante. Në dy vendimet të tetë gjykatësit e Kolegjit votuan për ligjshmërinë e këtyre votave duke urdhëruar numërimin e çdo vote të hedhur gabim në të gjitha kutitë”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se Kolegji Zgjedhor mbrojti në mënyrën me dinjitoze sistemin zgjedhor të vendit, që përbëhet nga dy shtyllat e tij, votimin dhe ankimimin.

Këtu kryeministri tha se askush s’ka të drejtë të zvarrisë procesin zgjedhor në pambarim.

Zoti Berisha nënvizoi se Kolegji i gjyqtarëve të Apelit përcaktoi se askush nuk mund të shkelë afatet kohore për ankimimin e procesit, duke përcaktuar gjithaq edhe se politikanët nuk mund të bëjnë forum shopping me votat e qytetarëve.

Shefi i PD-së vlerësoi faktin se në garën e ngushtë për kreun e bashkisë së kryeqytetit çdo votë u lexua para të gjithë shqiptarëve.

Ai vlerësoi aktin e opozitës, që pas protestave në rrugë i thirri mendjes, siç tha kryeministri, duke iu drejtuar organeve kompetente për shqyrtimin e ankesave.

Për kryeministrin, seria e padive të dorëzuara nga PS e partitë e tjera në Gjykatën e Apelit, që në rastin tonë u njoh si Kolegji Zgjedhor, dëshmuan me vepra besimin ndaj institucioneve ligjore të vendit, pavarësisht deklaratave publike që me fjalë thonin të kundërtën. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE