Pogradec, 11 korrik 2011, NOA Update – Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj është prononcuar pas agresionit me armë, mbrëmjen e të dielës në shtëpinë e tij në fshatin Tushemisht të Pogradecit.
Ai hedh poshtë të ketë patur një konflikt pronësie me autorin e ngjarjes, Adrian Hoxhallarin, i cili është fqinji i tij në Pogradec.
Shanaj deklaroi për mediat se ai nuk kishte patur asnjë konflikt pronësie me fqinjin, duke saktësuar se ai as nuk e di arsyen përse ka shtënë drejt tij fqinji.
Aktori bëri me dije se ai pati një debat me fqinjin për një vend parkimi, duke hedhur hije dyshimi se mund të kishte qenë kjo arsyeja, që e ka shtyrë fqinjin të qëllojë drejt banesës së Shanaj.
Regjisori Shanaj bëri me dije se fqinji Adrian Hoxhallari kishte qëlluar tetë herë përdrejt banesës së tij mbrëmjen e djeshme.
Shanaj tha se në momentin e ngjarjes në banesën e tij që ndodhet buzë liqenit të Pogradecit ishte e tërë familja e tij, duke shprehur ankthin se të shtënat mund të kishin cënuar jetën e familjarëve.
Aktori i njohur i kërkoi policisë së Pogradecit të kapë autorin e ngjarjes, i cili sikundër Shanaj tha, lëviz i lirshëm në rrugët e Pogradecit.
Policia e Pogradecit ka nisur qysh mbrëmë hetimet për ngjarjen dhe zbardhjen e rrethanave të saj dhe është vënë në kërkim të agresorit Hoxhallari duke vendosur postblloqe në zonat kyç të Pogradecit.
Deri pak më parë dyshohej se të shtënat kishin ardhur në emër të një konflikti pronësie, të dhëna që vetë aktori Mevlan Shanaj i ka hedhur poshtë.
mit/NOA