Vlorë, 11 korrik 2011, NOA – Dy persona që në bashkëpunim me një të tretë vodhën magazinën me pajisje hidraulike të një shtetasi në Vlorë kanë rënë në prangat e policisë.
Vjedhja ndodhi sot rreth orës 03:30 të mëngjesit në magazinën me pjesë hidraulike në pronësi të 26-vjeçarit F.M, banues në lagjen “Pavarësia” ku u krye vjedhja.
Magazina ndodhet në lagjen “Pavarësia” në qytetin e Vlorës dhe dy personat e arrestuar arritën të vjedhin ç’kishte brenda pasi shqyen qepenin e magazinës.
Personat e arrestuar si të dyshuar për autorësinë e vjedhjes janë dy kushërinjtë 43-vjeçari Besnik Riza Maxhupi, banues në lagjen “10 Korriku” dhe Gentian Njazi Maxhupi, 26 vjeç, edhe ky banues në lagjen “10 Korriku” të Vlorës.
Policia e Vlorës dyshon se me të arrestuarit ka bashkëpunuar edhe një person i tretë, i cili ka mundur t’i fshihet policisë.
Sipas burimeve të policisë personi i tretë është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia.
Besnik Maxhupi dhe Gentian Maxhupi do të procedohen penalisht nga prokuroria e Vlorës për vjedhje të kryer në bashkëpunim.
mit/NOA