Tiranë, 12 korrik 2011, NOA- Kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë ditës së sotme priti në një takim ambasadorin e Sllovenisë në Shqipëri Bojan Bertoncelj.
Në këtë takimi ambasadori Bertoncelj e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, duke shprehur kënaqësinë e veçantë që është ambasadori i parë slloven rezident në Tiranë.
Në vijim të takimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mirë mes dy vendeve si në planin dypalësh, ashtu edhe në bashkëpunimin si aleatë të NATO-s, por edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha falenderoi ambasadorin Bertoncelj për mbështetjen e fuqishme që Sllovenia i dha Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe, në veçanti, për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, por edhe për kontributin që Sllovenia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, po jep përmes procesit të Brdo-s, në konsolidimin e mirëkuptimit e bashkëpunimit në rajon.
Ambasadori Bertoncelj i konfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Sllovenisë në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sakaq, ndër të tjera në takim u rikonfirmua edhe vullneti i të dy palëve për të zgjeruar e thelluar më tej bashkëpunimin në fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushën ekonomike e tregtare, në atë të turizmit dhe nxitjes së investitorëve sllovenë, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë treguar interes të madh për potencialet e rëndësishme që ofron vendi si edhe për klimën tepër të favorshme për biznesin dhe investime në Shqipëri.
Ky takim erdhi me rastin e marrjes së detyrës së ambasadorit Slloven ku me këtë rast, Kryeministri Berisha i përcolli Kryeministrit Pahor përshëndetjet më të përzemërta.
a.y/NOA