English

Buxheti i rishikuar, ankesat e tre institucioneve në Komisionin e Ekonomisë

Tiranë, 12 korrik 2011, NOA – Komisioni i Ekonomisë, pa pjesëmarrjen e opozitës pritet të shqyrtojë e të vendosë sot mbi ankesat e institucioneve të prekura nga shkurtimet e shpenzimeve operative në buxhetin e rishikuar të vitit 2011.

Shqyrtimi i ankesave vjen pas miratimit në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2011.

Tre nga institucionet e pavarura që preken nga shkurtimet e shpenzimeve operative janë Presidenca, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Këto institucione e kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për uljen e shpenzimeve në administratat e tyre.

Sipas Gazetës Shqiptare, për Presidencën në buxhetin e vitit i miratuar në fund të 2010-ës ishin parashikuar 168 milionë lekë shpenzime, që përfshijnë pagat, dietat, mirëmbajtje, shpenzime për udhëtime, etj.. dhe 15 milionë lekë investime për mirëmbajtjen e institucionit, si lyerje mjedisesh, apo restaurime.

Nga shkurtimet e parashikuara, buxheti për Presidencën nga 153 milionë shkurtohet në 149 milionë lekë.

Buxheti i parashikuar për Prokurorinë e Përgjithshme nga 1.76 miliardë lekë shkurtohet në 1.73 miliardë lekë.

Sikundër deklaroi kryeministri fondet që preken janë ato për shpenzimet operative, telefona, etj.

Ndërkohë buxheti i Shërbimit Informativ Shtetëror nga 1.322 miliardë pritet të shkurtohet në 1.302 miliardë lekë, pra me një ulje më të vogël se për dy institucionet e Presidencës dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

mit/NOA

KOMENTE