English

Kolaterali, paralajmërimi i Bodes: Rrezikohet sistemi bankar

Tiranë, 12 korrik 2011 NOA - Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh gjatë forumit të Bankave se, mos ekzekutimi i kolateralit po cënon sistemin e bankave. "Po marrim masa që të mos lejojmë që faktorë të tjerë të brendshëm të cënojnë sistemin e bankave", tha Bode.

Sipas tij, analizat paraprake të BSH flasin për një gamë të gjërë problemesh sa i takon kreditimit dhe kolateralit. Këto lidhen me cilësinë e përmbarimit dhe ekzekutimin e vendimeve, apati në hapat e procesit dhe impakti që ka sjellë mos ekzekutimi i kolateralit bankar. Sipas ministrit të financës "impakti ekonomik që ka sjellë mosekzekutimi në kohë dhe me efiçencë i kolateralit bankar është i konsiderueshëm. Pasiguria dhe vonesat në sistemin e ekzekutimit e bëjnë kompensimin për bankat një detyrë gjithnjë e më të vështirë". "Totali i detyrimit të papaguar nga debitorët shkon në vlerën 20 miliardë lekë. Vlera e kolateralit është dy herë më e lartë se detyrimi dhe ekzekutimi nuk do të përbënte problem", u shpreh Bode, i cili shtoi se "treguesit e performancës së sistemit bankar gjithashtu janë prekur nga mungesa e mosekzekutimit të shpejtë. Kreditë e këqija janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe një rol të konsiderueshëm në këtë tregues ka luajtur pamundësia e bankave për të tërhequr këto garanci, çka do t'u mundësonte atyre fshirjen nga bilancet të kredive të këqija që do të shlyheshin me kolateral". Ai theksoi se "bankat kanë qenë të pamundura të tërheqin garancitë që do hiqnin nga bilanci kreditë e këqia. Kostoja e financimit në disa sektorë është rritur sikurse krediti i bankave”, tha Bode, ndërsa shtoi se mos ekzekutimi i kolateralit ndikon drejtpërdrejtë tek llogaritë bankare të qytetarëve. Bode gjithashtu ka deklaruar se është me interes ruajtja e një sistemi kredibël, sepse prej kësaj rrjedh përfitimi i dytë i ekonomisë në tërësi, ai i përfitimit më shumë kredi. Sipas tij, sistemi bankar në 5 vitet e fundit financon biznesin privat, ekonominë reale me 45% të prodhimit të brendshëm bruto dhe ka rritur mbi 10 herë në vlerë totale sasinë e kreditimeve që ka bërë për zhvillimin e vendit.

a.q/NOA

KOMENTE