English

Meta përshëndet vendimin e Kolegjit Penal: Prokuroria funksionoi si celulë politike

Tiranë, 12 korrik 2011, NOA – Një ditë pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për gjykimin normal e të plotë të skandalit të korrupsionit lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti, Kryetari i LSI-së Ilir Meta e përshëndeti këtë vendim, duke deklaruar se ai krijon mundësi për transparencë në gjykimin e çështjes.

një konferencë për shtyp, ish-numri dy i qeverisë Berisha u shpreh se “Dua të përshëndes vendimet e Gjykatës së Lartë, të cilat krijojnë mundësi për gjykimin në themel të çështjes kundër meje”.

Ish-zëvendëskryeministri tha se vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me relator të çështjes Ardian Dvoranin tregoi qartë se procesi hetimor i nisur nga Prokuroria është skandaloz si për sa i takon shkeljeve të rënda të ligjit dhe procedurës së hetimit.

Zoti Meta akuzoi organin e akuzës se gjatë hetimeve funksionoi si celulë politike duke anashkaluar atë për të cilën ka mandat ligjor e duhet të kishte si qëllim, zbardhjen e çështjes.

“Prokuroria funksionoi si një celulë politike ekstremiste për të akuzuar e rrëzuar personin tim dhe forcën që unë drejtoj për arsye elektorale. Të gjitha ekspertizat e bëra nga prokuroria doli se janë të pavlefshme, dhe se organi i akuzës ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe Kodin e Procedurës Penale, në një proces ku Prokuroria kishte për detyrë të zbardhte ngjarjen”, deklaroi për mediat kreu i LSI-së.

Sipas tij, Prokuroria kërkon rritje të buxhetit në parlament për të kryer hetime të rëndësishme, ndërkohë që harxhon në mënyrë të paligjshme mijëra dollarë për ekspertiza që rezultuan të pavlefshme.

Meta theksoi rishtas se kaseta e përgjuar nga ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti është një montazh i shëmtuar dhe i manipuluar, duke nënvizuar se “Prokurorisë i është ndaluar që në fillim ta zbardhë kasetën”.

“Prokuroria me vendimet e saj skandaloze dhe politike njëherësh ka kryer edhe disa vepra penale në këtë proces dhe unë do ta padis atë sipas legjislacionit shqiptar dhe ndërkombëtar për të fituar të drejtat e mia “, tha Meta.

Ai vërejti se strategjia e tij dhe avokatëve mbrojtës është që ta çojnë deri në fund çështjen e skandalit të video-përgjimit, ku sipas Metës, veprimet më skandaloze janë kryer nga Prokuroria.

“Ne nuk mund të pranojmë kurrë që Prokuroria e shtetit të kthehet në një celulë të paligjshme dhe të shkelë hapur me vulë e firmë ligjin duke thënë se do ta çonte për herë të tretë në ekspertizë kasetën në Britaninë e Madhe”, bëri me dije zoti Meta.

Ai akuzoi Prokurorinë se ka kryer mijëra veprime arbitrare që bien ndesh me të drejtat e qytetarëve, duke u shndërruar në një problem social, dhe jo vetëm të tijin personal.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi dje se ish-ministri dhe zëvendëskryeministri, Ilir Meta do t’i nënshtrohet një gjykimi normal dhe të plotë, gjë të cilën, Ilir Meta e kishte kërkuar nëpërmjet një Memo dërguar Gjykatës së Lartë.

Kërkesa për pavlefshmëri e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta lidhej me publikimin e një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit.

Kolegji Penal vendosi rrëzimin e kërkesës paraprake për pushimin e gjykimit të procedimit penal të Prokurorisë së Përgjithshme; rrëzimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të veprimeve hetimore të kryera dhe provave të marra pas datës 12.04.2011 deri në datën 09.05.2011, si të kryera jashtë afateve proceduriale, me arsyetimin se, afati i zhvillimit të hetimeve paraprake ndaj të pandehurit Ilir Meta ka filluar në datën 09.02.2011 kur emri i tij është rregjistruar në rregjistrin e njoftimit të veprës penale në cilësinë e personit që i atribuohet vepra penale; pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë, përkatësisht të akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar Adrian Philips, me arsyetimin se caktimi i ekspertëve dhe veprimet e mëvonshme lidhur me marrjen e aktit të ekspertimit është kryer në shkelje të neneve 151 pika 4, 183 pika 1 dhe 509 të Kodit të Procedurës Penale; rrëzimin e kërkesës paraprake për papërdorshmërinë e videorregjistrimit të realizuar nga shtetasi Dritan Prifti sepse është bërë në shkelje të nenit 221 e vijues të Kodit të Procedurës Penale mbi “Përgjimet”, me arsyetimin se, videorregjistrimet e realizuara jo nga organet e procedimit por nga subjektet private nuk përfshihen në rastet dhe kriteret që përmbahen në Titullin IV Kreu III Seksioni IV “Përgjimet” si dhe lidhur me kërkesën paraprake përsa i përket papërdorshmërisë së provave materiale, duke filluar nga ora audio e video rregjistruese me të cilën pretendohet se është bërë rregjistrimi, Kolegji Penal çmon se, në kuptim e zbatim të dispozitave proceduriale, në këtë moment të procedimit, nuk mund të japë qëndrimin e tij dhe as të disponojë për pranimin apo rrëzimin e kërkesës, pra për papërdorshmërinë ose jo të këtyre provave.

Në seancën e 20 qershorit, gjatë paraqitjes së kërkesave paraprake të mbrojtjes, avokatët e ish-numrit dy të qeverisë Berisha kërkuan pavlefshmëri të veprimeve hetimore të organit të akuzës të kryera nga 12.1.2011 deri më 16.2.2011, pasi, sipas tyre, janë kryer në një kohë që Meta gëzonte imunitet.

Pavlefshmëria u kërkua edhe për veprimet hetimore në periudhën 12.4.2011-9.5.2011, si të kryera jashtë afateve ligjore si dhe për aktet e ekspertimit, dëshmitë e Dritan Priftit dhe provat materiale të sekuestruara nga Prokuroria.

Ilir Meta u dërgua si i pandehur në Gjykatën e Lartë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme më 9 maj të këtij viti me akuzën e “korrupsionit aktiv”.

Hetimi ndaj tij nisi pas publikimit të një video-përgjimi të realizuar nga ish-ministri Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit, kur Prifti mbante postin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta mbante postet e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

mit/NOA

KOMENTE