Tiranë, 12 korrik 2011 NOA -Këshilli Kombëtar i Punës miratoi rritjen e pagës minimale në shkallë vendi në masën e 20 000 lekëve në muaj, rishikimin e draftit të Kodit të Punës me qëllim përafrimin e plotë me legjislacionin e BE si dhe propozimet e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjes dhe Këpucëve për heqjen e tarifës doganore për lëndën e parë të kësaj industrie.
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjes dhe Këpucëve (DhKPVK) kërkoi që ndryshimet në ligjin “Për miratimin e niveleve te tarifes doganore”, të cilat po diskutohen në komisionet Parlamentare të përfshijnë edhe heqjen e tarifës doganore 10%, për lëndën e parë të industrise se konfeksioneve, me arsyetimin se kjo tarifë përbën kosto të lartë për prodhimet e tyre dhe nuk i jep mundësinë e konkurimit me vendet e rajonit.
Ministri Ksera vuri në dukje se industria e fasonit është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në rritjen e punësimit ndaj edhe Qeveria në vazhdimësi e ka mbështetur këtë industri nëpërmjet ofrimit të lehtësirave fiskale.
Një pikë shumë e rëndësishme e rendit të ditës në mbledhjen e radhës së KKP ishte edhe diskutimi i projekt-vendimit të përgatitur nga Ministria e Punës “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”.
Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 20.000 lekë në muaj nga, 19.000 që është aktualisht, duke u rritur 5,3 %. Është parashikuar edhe paga orare në masën 115 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesëshme ose jashtë kohës normale të punës.
Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj, të cilat shkojnë mesatarisht 50% mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 30.000 lekë në muaj.
a.q/NOA