English

Regjistrimi i popullsisë, AK: Ja prova e manipulimit të votimit në Kuvend

Tiranë, 12 korrik 2011 NOA - Aleanca Kuq e Zi i ka drejtuar 140 deputetëve informacionin përkatës dhe provat nëpërmjet fotove ku, sipas AK, shihet qartë se kemi të bëjmë me mos respektimin e parimit kushtetues "1 deputet, 1 votë".

I NDERUAR Z/DEPUTET

Aleanca KUQ E ZI ka vërejtur me keqardhje, proçedurën e ndjekur nga disa anëtarë të këtij Kuvendi, gjatë votimit të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë dhe të Banesave”. Një proçedurë, e cila jo vetëm ka shkeluar standardet e një shteti demokratik, e zhvilluar pa debat dhe pa dëgjuar palët e interesuara, por që arrin deri aty sa të shkelë rëndë Kushtetutën, si edhe parimet bazë të votimit në një vend demokratik.

“Vota është vetjake” …përcakton Kushtetuta në nenin 45/4 të saj, por ndoshta kjo frazë nuk do të thotë asgjë për disa nga të zgjedhurit e popullit, deputetë të Kuvendit, ata të cilët janë garant të udhëheqjes sipas parimit të shtetit ligjor, ata të cilëve ky popull, i ka deleguar të drejtën për të bërë ligje dhe për t’u qeverisur nga ligjet.

Të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe falsifikimet e proçedurave e votimit janë kryer në prani të kamerave si dhe kemi prova të tjera në dispozicion.

Ne, shprehim shqetësimin se deputetët Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra nuk kanë qenë në Kuvend përgjatë proçedurës së votimit, por ata kanë votuar; Ne denoncojmë se disa deputetë në Kuvendin tonë nuk duan të zbatojnë rregullat dhe parimet e thjeshta të demokracisë; si p.sh. parimi 1 deputet 1 votë.

Aleanca KuqeZi nuk e njeh legjitim rezultatin e miratimit me më pak se 50% të deputetëve të pranishëm në sallë dhe e denoncon si rastin më të paprecedentë në historinë e parlamentarizmit Evropian dhe për këto arsye do të ndërmarrë të gjitha inisiativat dhe do të ndjekë të gjitha rrugët e ankimimit ligjor, për të deklaruar antikushtetues këto parregullsi të Kuvendit, që patën ndikim në rezultatin e votimit i cili juridikisht është i pavjefshëm.

Aleanca KuqeZi shpreson shumë në reflektimin dhe ndryshimin e menjëhershëm ligjor të këtij procesi në dhunim të Kushtetutës.

a.q/NOA

KOMENTE