English

Thaçi: Mirënjohje GND, prioriteti ynë axhenda integruese

Prishtinë, 12 korrik 2011, NOA- Gjatë takimit të zhvilluar me Grupin Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, ku u morr mbështetja për konsolidimin e Kosovës së pavarur dhe shumetnike brenda kufijve të saj aktual Kryeministri Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Thaçi tha se, edhe pse ka kaluar një vit nga takimi i fundit para përfaqësuesve të GND-së përkundër sfidave me të cilat përballet vendi, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e vet këshillëdhënës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke e bërë të qartë se shpallja jonë e pavarësisë nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare; 76 shtete kanë njohur sovranitetin tonë; Kosova është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe ne kemi besim se do të bëhemi anëtar edhe të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) deri në fund të këtij viti”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, aktualisht në vend ekziston një stabilitet institucional dhe se qeveria është plotësisht e zotuar që të implementojë prioritetet strategjike të parashikuara me planin ekonomik.

Kryeministri kosovar theksoi se, axhenda integruese në Bashkimin Evropian është prioriteti kryesor i vendit duke shtuar se ekzistojnë të gjitha arsyet për të besuar se këtë vit Kosova do të pranojë qartësi më konkrete sa i përket perspektivës së saj evropiane.

Pas takimit të 13 të Grupit Drejtues Ndërkombëtar që zhvilloi punimet në Prishtinë, në një komunikatë për media konstatohet se shumica e ligjeve që dalin nga pakoja e Marti Ahtisarit tashmë janë miratuar. GDN inkurajoi institucionet kosovare që t'i japin prioritet edhe hartimit dhe miratimit të legjislacionit të mbetur që kërkohet nga pakoja e Ahtisarit.

a.y/NOA

KOMENTE