Tiranë, 13 korrik 2011, NOA- Vetëm pak para fillimit të mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha priti në një takim ambasadorin e Hungarisë në Tiranë, Sandor Molnari.
Në këtë takim i cili erdhi me rastin e përfundimit të detyrës së tij në vendin tonë, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje ambasadorit Molnari për mbështetjen e jashtëzakonshme që Hungaria i ka thënë në vazhdimësi Shqipërisë, si për anëtarësimin në NATO, për liberalizimin e vizave dhe për të gjitha hapat dhe stadet e projektit madhor kombëtar, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, ambasadori Sandor Molnari e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe, si dhe për mbështetjen që ai dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë në misionin e tij në Tiranë.
Më tej ambasadori Molnari i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha se Hungaria do të vijojë të jetë një mbështetëse e zjarrtë dhe entuziaste e Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në të gjithë përpjekjet për integrimin në Bashkimin Evropian, por edhe mbështetëse e aspiratës evropiane të rajonit në tërësi.
Ndër të tjera në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, të bazuara mbi një traditë të gjatë historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve dhe qeverive për t’i zgjeruar, thelluar, e konsoliduar edhe më tej këto marrëdhënie në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike dhe në thithjen e investitorëve hungarezë në Shqipëri.
Molnari theksoi se Shqipëria ka pësuar një sërë përparimesh gjatë këtyre viteve të fundit dhe vlerësoi progresin qartësisht të dukshëm e të shënuar që vendi ka realizuar gjatë kësaj periudhe, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe ecja me shpejtësi drejt anëtarësimit të plotë në BE.
a.y/NOA