Nëse Silvio Berluskoni lë pushtetin, kjo nuk do të thotë se ai synon të jetë pasuesi i presidentit aktual Giorgio Napoletano. Prej disa muajsh ai e ka caktuar se kush do të jetë kandidati i tij në këtë post: sekretari i shtetit në presidencën e këshillit, Giani Letta, një ndërmjetës diskret, mendjemprehtësia e të cilit është e vlerësuar nga të gjithë
Nga Richard Heuze
Silvio Berluskoni ka siguruar se nuk do të kandidojë më në zgjedhjet legjislative të vitit 2013 dhe do ia lërë vendin ministrit të Drejtësisë, Angelino Alfano, të cilit i ka besuar tashmë drejtimin e partisë. Në vitin 2013 Kryeministri do të jetë 77 vjeç, një moshë në të cilën ushtrimi i pushtetit lë gjurmë. Giulio Andreoti, i cili ka drejtuar 7 qeveri gjatë karrierës së tij të gjatë politike, pati të drejtë kur tha se “pushteti përdor vetëm ata që nuk e kanë”. Të jesh në skenën politike prej 17 vjetësh dhe të ketë drejtuar 4 qeveri gjatë 9 vjetëve, siç ka bërë Silvio Berluskoni, duhet të jetë goxha lodhje, edhe te një lider me një vitalitet të jashtëzakonshëm.
“Në zgjedhjet e ardhshme legjislative nuk do të jem kandidat për kreun e qeverisë”, pohon il Cavaliere, i cili mbush 75 vjeç në shtator, në një intervistë në gazetën e majtë La Repubblica. “Kandidati për qendrën e djathtë do të jetë Alfano. Unë po të mundja mund ta lija që tani postin”, shtoi ai. Në 12 maj gjatë një pritje darke me gazetarët e medieve të huaja, Silvio Berluskoni kishte hedhur hipotezën e një largimi, por duke e shprehur me nuanca. “Sondazhet tregonin se njerëzit donin që unë të kisha një mandat tjetër, nuk do të tërhiqesha nga një përgjegjësi e tillë”, pat thënë ai atëherë. Por në të njëjtën kohë ai kishte në kokë emrin e Angelino Alfanos, si pasardhësin e tij, i cili tashmë është ministër i Drejtësisë. Ky 40-vjeçar përfaqëson gjeneratën e re, drejton që nga 1 korriku po kështu është edhe sekretar i Popullit të Lirisë (PDL), të dalë nga marsi i vitit 2009 nga shkrirja e Forza Italia dhe Aleancës kombëtare postfashiste. Triumvirati u zëvendësua me atë që administronte çështjet e ditës gjatë këtyre 20 muajve. Alfano ka nisur misionin e lançimit të zgjedhjeve të vitit 2013. “Do ta bëj një parti virtuoze”, ka thënë ai, shumë i prekur, gjatë daljes së parë në publik pas zgjedhjeve të këshillit kombëtar të partisë.
Ky jurist me origjinë nga Agrixhento, në Siçili, është i ri, i vendosur dhe ka një besnikëri të pamat përkundrejt shefit të saj. Lideri i opozitës, Pierluigi Bersani, ka shtruar pyetjen nëse “ai do të jetë sekretari i PDL-së apo i Berluskonit”. Për të ndërtuar një imazh të ri të PDL-së, dy vjet nuk janë shumë. Për më tepër kur incidentet rrezikojnë që të shtojnë ritmin e ngjarjeve. “Sa kohë mund të zgjasë një qeveri, shefi i së cilës dhe ministrat e tij përgënjeshtrojnë njëri-tjetrin në publik”, shton pyetjen e përditshmja Il Sole 24 ore. Projektorët tashmë janë vendosur mbi ministrin e Ekonomisë, Giulio Tremonti, të cilin shefi i ekzekutivit e akuzon se bën pjesë në bandën e personave që janë kundër qeverisë. Tremonti pëlqehet për këmbënguljen, por e bën që të humbë konsensusi i së djathtës.
Nëse Silvion Berluskoni lë pushtetin, kjo nuk do të thotë se ai synon të jetë pasuesi i presidentit aktual Giorgio Napoletano. Prej disa muajsh ai e ka caktuar se kush do të jetë kandidati i tij në këtë post: sekretari i shtetit në presidencën e këshillit, Giani Letta, një ndërmjetës diskret, mendjemprehtësia e të cilit është e vlerësuar nga të gjithë. Përsa i takon aleatit të tij Umberto Bosi, do të qe e udhës që edhe ky të largohej në të njëjtën kohë me Berluskonin. Duhet që Liga e Veriut të gjejë pasuesin e tij. “Ka aq shumë të rinj me vlera në atë parti, por asnjë prej tyre nuk është në lartësinë e tij”, pohon Berluskoni.
* Le Figaro