Tiranë, 13 korrik 2011 NOA – Policia e shtetit ka hartuar një plan të rregullt menaxhimi të pikave të kalimit kufitar. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe ndihma që OSBE po i jep uniformave blu. Ambasadori Wollfarth është pritur nga drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj.
Burgaj u ndal në mënyrë të veçantë në masat e marra për menaxhimin me sukses të fluksit në Pikat e Kalimit Kufitar gjatë sezonit turistik, veçanërisht të vizitorëve të huaj që vijnë për të pushuar në vendin tonë.
“Vetëm gjatë periudhës 1 Qershor -11 korrik 2011, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë rreth 340.000 vizitorë të huaj, të cilët llogariten në rreth 40.000 persona më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat me synim rritjen e standardeve të shërbimit në Pikat e Kalimit Kufitar, garantimin e sigurisë publike në të gjithë zonat turistike të vendit, parandalimin e aksidenteve automobilistike dhe rritjen e sigurisë rrugore në të gjitha akset kryesore dhe në rrugët e zonave turistike, sigurimin e një shërbimi policor në përputhje me Kodin e Etikës së Policisë, si dhe ofrimin e sigurimin e ndihmës ndaj komunitetit në çdo rast nevoje”, tha Burgaj.
Ndërkohë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, duke vlerësuar masat e marra nga Policia e Shtetit për menaxhimin e suksesshëm të fluksit të hyrje-daljeve në territorin e Shqipërisë gjatë këtij sezoni turistik, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në vazhdimësi me Policinë e Shtetit.
“Ne sot kemi dhuruar 20 kompjutera për Policinë e Shtetit Shqiptar në mënyrë që të ndihmojmë për menaxhimin sa më të mirë të hyrje-daljeve gjatë sezonit veror në Shqipëri dhe kjo do të mundësojë jo vetëm sigurinë në vend, por do të ndihmojë edhe në zhvillimin e biznesit, sepse ndikon gjithashtu në zhvillimin e sigurt të turizmit.”, theksoi Ambasadori Wollfarth.
a.q/NOA