Tiranë, 13 korrik 2011, NOA – Partia Socialiste nuk respektoi afatin ligjor për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.
Është kjo arsyeja pse Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste në 8 korrik, ku kjo e fundit i kërkonte Kolegjit të urdhëronte KQZ-në që të merrte në shqyrtim kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi dhe ripërsëritjen e tyre në Tiranë.
Sipas Kodit Zgjedhor afati për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve është tri ditë nga shpallja e vendimit në KQZ, dhe vendimi i marrë nga KQZ në 25 qershor duhej ankimuar tri ditë më pas, pra në 28 qershor.
Trupa e gjyqtarëve të Apelit nënvizon se afati i parashikuar për ankimimin në nenin 160 të Kodit Zgjedhor nuk mund të zgjatet dhe nuk mund të ketë mbivendosje.
Për këto arsye Kolegjit Zgjedhor pas nëntë faqesh argumentim e rrëzoi kërkesë-padinë e PS-së si të pabazuar në ligj dhe që shkel disa nene të Kodit Zgjedhor.
Në vendimin e zbardhur të martën, trupa e gjyqtarëve të Apelit me relatore Sashenka Jonuzin la në fuqi të premten e 8 korrikut, vendimin e KQZ-së që shpalli kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të garës për bashkinë e Tiranës me 93 vota më shumë se rivali socialist Edi Rama.
mit/NOA