English

Kolegji Zgjedhor shqyrton në 15 korrik padinë e PD për Këshillin Bashkiak

Tiranë, 13 korrik 2011, NOA Update – Padia e Partisë Demokratike për konstituimin e 55 mandateve të Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor të premten, në 15 korrik.

Kolegji Zgjedhor hodhi para pak minutash shortin për shqyrtimin e kërkesë-padisë së demokratëve e dorëzuar një ditë më parë në Gjykatën e Apelit.

Relatore e çështjes do të jetë gjyqtarja Meriban Mullaj, dhe anëtarë të trupës së Apelit do të jenë gjyqtarët Astrit Kalaja, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Dhimitri.

Seanca e shqyrtimit të ankimimit të PD-së për përcaktimin e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të nisë të premten në orën 10.00.

PD i kërkon Kolegjit Zgjedhor të përcaktojë mandatet për Këshillin bashkiak të Tiranës mbi bazën e tabelave të grupeve të numërimit për secilën qendër votimi.

Demokratët iu drejtuan Kolegjit Zgjedhor për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mundi të arrijë kuorumin e cilësuar të votave, 5 me 2, për të konstituuar Këshillin e ri Bashkiak të Tiranës dhe miratuar emrat e 55 mandateve të reja.

Gjatë mbledhjes së të hënës, në 11 korrik, me 4 vota pro dhe 2 kundër të opozitës, KQZ rrëzoi në parim tabelën përmbledhëse për shpërndarjen e mandateve në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Për miratimin e mandateve të këshilltarëve të bashkisë së Tiranës që dolën nga zgjedhjet administrative të 8 majit kërkohet votim me shumicë të cilësuar, pra 5 me 2 në KQZ.

Në zgjedhjet administrative të 8 majit, koalicioni qeveritar “Aleanca për Qytetarin” siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundrejt koalicionit opozitar “Aleanca për të Ardhmen”.

“Aleanca për Qytetarin” fitoi 28 këshilltarë, ndërkohë që “Aleanca për të Ardhmen” 27 këshilltarë.

Përkatësisht brenda koalicionit “Aleanca për Qytetarin” ka fituar 19 këshilltarë; 5 këshilltarë LSI, 2 këshilltarë PDIU; 1 këshilltar PR dhe 1 PLL.

Ndërsa në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” 25 këshilltarë i takojnë PS-së; 1 këshilltar PDS-së dhe 1 këshilltar PSV 91.

Me padinë për mandatet e Këshillit Bashkiak, Partia Demokratike regjistroi padinë e dytë të paraqitur në Kolegj sa i takon zgjedhjeve vendore në Tiranë, pasi e para ishte ajo për këshillat e minibashkive, të cilat nuk u votuan nga opozita në KQZ.

mit/NOA

KOMENTE