English

Mevlan Shanaj: Mos na përbaltni emrin, nuk jemi bërë pjesë e një konflikti banal

E mërkurë, 13 korrik 2011, NOA- Aktori i njohur Mevlan Shanaj nëpërmjet një deklarate tjetër për mediat, ka apeluar që të ndalet keqinformimi lidhur me plumbat e adresuar në drejtim të shtëpisë së tij në Pogradec.

“Lidhur me ngjarjen kriminale që ka ndodhur me 8 të shtëna pistolete mbi familjen tonë, njoftojmë se prej ditësh po shpërndahet një amulli mediatike elektronike dhe e shkruar. Nga deklarimet tona në të gjitha rastet zyrtare dhe ato mediatike është theksuar se ky akt terrori kriminal, nuk ka ende motiv të njohur dhe askush nuk mund të japë përgjigje pa investigime dhe gjykime të mëtejshme. Është kjo arsyeja që na bën t'i drejtohemi shtypit dhe opinionit të saktësohet dhe jo të përbaltet emri ynë, sikur jemi bërë pjesë e një konflikti banal”, thuhet në deklaratën e dhënë nga aktori Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij Natasha Lako.

Më tej nga ana e tyre theksohet se në asnjë rast nuk kanë pasur në asnjë rrethane konflikt apo shkëmbim fjalësh apo debate që po fabrikohen qoftë për arsye prone, parkimi apo edhe të tjera bishta të tjerë që i vihen këtij krimi.

Sakaq veçohet fakti se në të kundërt është thënë në vijimësi se familja Shanaj ka marrëdhënie miqësore me familjen e atentatorit.

Ndër të tjera në deklaratën e çiftit Shanaj thuhet se, tentativat për të implikuar me grindje banale emrat e tyre në këtë ngjarje të shëmtuar, duhet të zbardhen nga specialistët, pasi përsëri ka dezinformime të hapura dhe të drejtpërdrejta të motivit të vërtetë.

Në përfundim Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj kanë falënderuar të gjithë miqtë që u janë gjendur pranë dhe kanë kërkuar që të gjitha sajesat të frenohen dhe të gjendet shkaku që ka çuar deri në këtë akt kriminal dhe kush është qëllimi i gjithë këtyre keqinformimeve.

Ndërkaq Adrian Hoxhallari i moshës 41 vjeçare është vënë në pranga si autor i kësaj ngjarje, pasi disa ditë më parë qëlloi me armë në drejtim të banesës së aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Tushemisht të Pogradecit, kur Adrian Hoxhallari ka qëlluar me pistoletë drejt banesës ku qëndronte aktori dhe familja e tij, por sipas të ndaluarit ky akt ka ardhur në një moment kur Hoxhallari ka qenë në gjendje të dehur.

a.y/NOA

KOMENTE